Në Tiranë u mbajt takimi i radhës tripalësh, i Komitetit Mbikëqyrës të Task Forcës së përbashkët mes Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe Kosovës, kundër migracionit të parregullt dhe bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar.
Në të morën pjesë ministri i Brendshëm Shqiptar Taulant Balla, ministri Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, si dhe përfaqësues të agjencive ligjzbatuese nga Republika e Kosovës, nga Britania e Madhe dhe Shqipëria.
“Shqipëria dhe Britania e Madhe kanë një marrëdhënie të shkëlqyer dhe punojnë çdo ditë së bashku për të arritur objektivat e përbashkëta me synimin promovimin dhe mbrojtjen e sigurisë për qytetarët tanë. Kjo dëshmohet më së miri me uljen e dukshme përtej çdo parashikimi të numrit të emigrantëve të paligjshëm që kanë mbërritur në Britani, nga Shqipëria, por po ashtu edhe në punën tonë të përbashkët për të luftuar krimin e organizuar në të gjitha format e tij”, tha ministri Balla.
Balla uroi gjithashtu ministren britanike Cooper, për marrjen e detyrës dhe u shpreh i sigurt në forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
“Është me rëndësi të theksojmë sot faktin se në nëntor të vitit të kaluar, kur pata mundësi të firmos bashkë me kolegun Cleverly, deklaratën e bashkëpunimit për çështjet e brendshme, krimin e organizuar dhe krimet e rënda mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, nga ai moment ky bashkëpunim është intensifikuar dhe kemi regjistruar rezultate të rëndësishme, si në luftën kundër krimit të organizuar, ashtu edhe në drejtim të migracionit të paligjshëm. Ministria e Brendshme, në fushën e saj të përgjegjësisë ka shprehur, – shfrytëzoj rastin këtu të theksoj gatishmërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin operacional në fushën e zbatimit të ligjit, me objektiv themelor, parandalimin dhe ndërprerjen e migracionit të paligjshëm, por pa harruar njëherazi edhe bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar”, theksoi Balla.
Më tej, ministri shqiptar tha se shkëmbimi i informacionit në kohë reale midis strukturave policore dhe bashkëpunimi i ngushtë me SPAK, i shërben parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në vendin tonë.
“Kemi mundësuar dhe arritur kthimin e mbi 4000 personave, të cilët kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe po ashtu të theksoj se Task Forca e përbashkët për migracionin ka operacionalizuar bashkëpunimin tonë për migracionin dhe ka forcuar qëndrueshmërinë e kufirit, duke trajtuar rrugët e përdorura nga grupet e krimit të organizuar, duke kontrabanduar para, drogë, në mënyrë të jashtëligjshme. Këtë verë po bashkëpunojmë në operacione të përbashkëta policore. Jemi shumë mirënjohës për punën e ekspertëve britanikë, të cilët janë vendosur tanimë në Tiranë për të punuar me ne, edhe sa i përket hapave në reformimin e mëtejshëm të Policisë së Shtetit Shqiptar, një pjesë e të cilave po konkretizohet me ligjin e ri për PSH, i cili është në proces miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë. Në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, për vitin 2023, në raport me Britaninë e Madhe kemi realizuar 50 operacione riatdhesimi dhe janë deportuar gjithsej 2250 shtetas shqiptarë për motive nga më të ndryshmet, qoftë për qëndrim ilegal, qoftë për vepra penale që lidhen me kultivimin e paligjshëm të lëndëve narkotike, me refuzim azili, me falsifikim dokumentacioni, për vjedhje, e gjatë këtij 6-mujori të parë të 2024, kemi pasur 25 operacione riatdhesimi me 1120 shtetas të riatdhesuar”, informoi ministri Balla.
Rezultate mund të thellohen me rritjen e bashkëpunimit, përfshirë Kosovën, duke krijuar një mundësi tri-laterale bashkëpunimi, me qëllimin për ta zgjeruar edhe me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, nënvizoi Balla.
“Prania dhe angazhimi personal i Ministrit të Brendshëm të Republikës së Kosovës, z. Sveçla, në këto takime të Komitetit të Përbashkët të Mbikëqyrjes, është një mesazh shumë domethënës për vijimin e intensifikimit të bashkëpunimit brenda nesh për të luftuar fenomene për të cilat ne e dimë fare mirë që nuk njohin fare kufij, qoftë këtu krimi i organizuar apo migracioni i paligjshëm. Rezultate e arritura deri më tani janë mbresëlënëse, por përsëri na duhet të punojmë sa i përket mesazheve që lidhen me inkurajimin e migracionit të ligjshëm dhe dekurajimin e plotë të abuzimit me sistemin e azilit dhe çdo lloj përpjekjeje për të justifikuar kërkesat për azil”, theksoi Balla.