Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Malta kanë bojkotuar fjalën e përfaqësueses së Rusisë për të drejtat e fëmijëve. Kjo ka ndodhur gjatë një takimi informal të mbajtur në Këshillin e Sigurimit, Presidencën e së cilës për momentin e ka Rusia.
Misioni diplomatik i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara ka reaguar në rrjetet sociale ku thotë se është larguar pasi ka marrë fjalën Maria Lvova-Belova, të cilës disa ditë më parë, Gjykata Penale e Hagës i bëri publike një urdhër arresti, bashkë me presidentin rus, Vladimir Putin. Belova është Komisionere në Zyrën për të Drejtat e Fëmijëve në Rusi dhe siç mësohet, takimi që u bojkotua fliste për evakuimin e fëmijëve ukrainas nga Ukraina drejt Rusisë.
“Shqipëria mori pjesë në takimin informal të Rusisë mbi “evakuimin” e fëmijëve ukrainas nga Ukraina drejt Rusisë, por u largua nga salla kur Maria Lvova-Belova, e akuzuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, mori fjalën, për të treguar kundërshtimin dhe refuzimin ndaj këtij provokimi cinik.
Për Belovën ka një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale që e akuzon për dëbim të paligjshëm të fëmijëve ukrainas. Në vend që t’i japë leksione Këshillit të Sigurimit për situatën e fëmijëve në Ukrainë, ajo duhet të paraqitet në gjykatë për t’iu përgjigjur akuzave shumë të rënda të ngritura ndaj saj”, njoftoi Misioni Diplomatik i Shqipërisë.
Një ditë më parë, Shqipëria iu bashkua më shumë se 46 vendeve të tjera me një deklaratë të përbashkët si kundërpërgjigje për takimin e planifikuar për sot, për deportimin e jashtëligjshëm me forcë të fëmijëve në Ukrainë.
Deklarata e përbashkët
Sot, Federata Ruse, do të abuzojë më tej pushtetin dhe privilegjet e saj si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të shpërndarë dezinformim për rrëmbimin dhe deportimin e jashtëligjshëm me forcë të mijëra fëmijëve ukrainas.
Burime të shumta të besueshme, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare Penale, Komisionin Ndërkombëtar Hetimor në Ukrainë, institucionet akademike, organizata të besuara mediatike dhe organizata të pavarura jo qeveritare, të gjitha kanë tërhequr vëmendjen për deportimin e jashtëligjshëm me forcë të fëmijëve nga Ukraina drejt Federatës Ruse.
Këto akte të dënueshme kanë ndodhur në kontekstin e pushtimit dhe luftës së jashtëligjshme të FederatësRrusë kundër Ukrainës, që ne e dënojmë me forcë.
Federata Ruse do të përpiqet që veprimet e saj në Ukrainë t’i prezantojë si në përputhje me ligjet ndërkombëtare, të drejtave të fëmijëve dhe Axhendën e Fëmijëve dhe Konflikteve të Armatosura. Kjo është shumë larg të vërtetës.
Faktet janë të qarta:
-Autoritetet ruse kanë marrë në pyetje, ndaluar dhe deportuar me forcë mbi 19,500 fëmijë ukrainas nga shtëpitë e tyre, nga Ukraina drejt Rusisë. Kjo përfshin ndarjen e qëllimshme të fëmijëve nga prindërit e tyre dhe rrëmbimin e fëmijëve nga jetimore, duke i vendosur më pas për adoptim në Rusi.
-Komisioni Ndërkombëtar i Pavarur në Ukrainë ka përcaktuar se transferimi dhe deportimi i fëmijëve nga Ukraina në Federatën Ruse, dhunon ligjet ndërkombëtare humanitare dhe konsiderohet krim lufte.
-Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin dhe Komisionerja e presidentit për të Drejtat e Njeriut, Maria Lvova-Belova janë të dy subjekt i urdhërarresteve nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, për krimet e luftës të deportimit të jashtëligjshëm të fëmijëve dhe transferimit të jashtëligjshëm të fëmijëve nga zonat e pushtuara në Ukrainë drejt Federatës Ruse.
Ne dënojmë me forcë veprimet e Federatës Ruse në Ukrainë, përfshirë dhe në veçanti deportimin me forcë të fëmijëve ukrainas, ashtu sikurse edhe shkeljet e tjera të rënda kundër fëmijëve të kryera nga forcat ruse në Ukrainë.
Asnjë dezinformim i përhapur nga Federata Ruse nuk mund ta mohojë të vërtetën për këtë çështje, apo të mbrojë individët nga përgjegjësia për këto krime.