Një tjetër protestë është paralajmëruar nga qytetarët ditën e sotme, në shenjë kundërshtie për rritjen e çmimeve. Ashtu siç është njoftuar dhe në rrjetet sociale, tubimi në kryeqytet pritet të nisë në orën 11:00, ku qytetarët do të marshojnë drejt Kryeministrisë. Protestuesve në Tiranë, pritet t’i bashkohen edhe ata të Durrësit, të cilët po ashtu 3 ditë me radhë kanë bllokuar rrugët kryesore në qytet si dhe hyrjen e autostradës.

Prej së mërkurës qytetarët kanë dalë në protesta nga Veriu në Jug, për rritjen e çmimit të karburantit, por edhe rritjes së çmimit të të gjitha produkteve ushqimore dhe taksave.

Kryeministri Rama pati një reagim pas ditës së parë të protestës dhe njoftoi ngritjen e Bordit të Administrimit të karburantit, çka pasoi me uljen e ndjeshme të çmimit të karburantit, i cili ishte ngritur prej disa ditësh me lëvizje të ndryshme, me raste dhe dy herë brenda ditës. Ndërkohë dje, Rama tha se ata që protestojnë nuk janë popull, por po e njëjta pakicë e zhurmshme në kërkim të rrëmujës!

Nga ana tjetër Presidenti i Republikës Ilir Meta i bëri thirrje qeverisë të dëshmojë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e të gjitha çështjeve që po shqetësojnë me të drejtë qytetarët dhe i tërhoqi vëmendjen policisë për t’u distancuar nga dhuna. Protestat janë mbështetur dhe nga opozita.