11 shkurt 2015 – Për shkak të rënies së Jemenit në duart e milicisë shiite dhe një shpërbërje të rendit publik e kushtetues në vend, ambasada amerikane po evakuon stafin e reduktuar dhe togën e marinsave, që mbronte ambasadën. Personeli i rekrutuar lokalisht i ambasadës po merr pagesën për punën e kryer dhe nuk do të paraqitet më në zyrat e saj.
Amerikës iu desh të zgjidhte midis Turqisë dhe Shqipërisë për shtetin që do të kujdesej për interesat amerikane në Jemen, në mungesë të një prezence diplomatike amerikane në Sana, kryeqytetin e Jemenit.
Turqit kishin një prezencë shumë më të madhe se shqiptarët dhe kontakte të shkëlqyer,a sidomos me pjesën sunite të popullsisë së Jemenit, por problemet më të fundit me Erdoganin, dhe flirtimet e MIT-it turk (shërbimi i fshehtë turk) i z. Fidan me Iranin, bëri që me sa duket të zgjidhet Shqipëria.
Ambasada shqiptare në Riad të Arabisë Saudite mbulon edhe Jemenin. Gjithsesi, Shqipëria ka edhe një konsull nderi në Arabinë Saudite, i cili është një person shumë influent në gjithë Gadishullin Arabik, bëhet fjalë për sheikun Abdulaziz Muhamad Al Nowaiser. Kujtojmë këtu, që konsulli i nderit i Shqipërisë dha një kontribut jo të pakët për të zgjidhur problemin e detarëve shqiptarë të arrestuar si pjesë e ekuipazhit të një anijeje të ngarkuar me armatime serbe, që u bllokua nga autoritetet e Jemenit në Portin e Mukallës.





