3 tetor 2014 – Shqipëria do të ketë përkrahjen e tifozëve shqiptarë për duelin në udhëtim te Serbia më 14 tetor në Beograd, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2016.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), kërkoi nga pala serbe që t’i ndajë biletat e caktuara për tifozët mysafirë.
Dhe, sipas rregullave, 5 për qind e kapacitetit të stadiumit duhet t’u takojë tifozëve mysafirë që sipas medieve serbe i bie se në arenën e Partizanit në Beograd do të ketë vend për 1000 tifozë shqiptarë.
Njësoj, Shqipëria duhet t’u ndajë një vend në stadium për ndeshjen e kthimit mes tyre, në kuadër të Grupit I, të cilin e nisi me fitore të madhe në udhëtim te Portugalia me rezultat 1:0.
Kurse, para duelit me Serbinë, Shqipëria do të ndeshet me Danimarkën më 11 tetor.





