Nga Dr. Bledar Kurti
91% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE, numri më i lartë jo vetëm nga të gjithë kandidatët, por edhe nga shumë prej vetë vendeve të BE-së të cilat shënojnë një përqindje të ulët sentimenti evropian.
Shqipëria e meriton plotësisht vendin e saj në Bashkimin Evropian, jo vetëm si një aspiratë politike, por si një kthim natyral në familjen ku historikisht ka përkitur. Shqipëria ka qenë, është e do mbetet evropiane, jo vetëm gjeografikisht, por edhe historikisht, me mendje, zemër dhe aspirata.
Në shekuj, shqiptarët kanë qenë pjesë aktive e zhvillimeve evropiane, duke ruajtur vlera si liria, mikpritja, bashkëjetesa fetare dhe respekti për tjetrin, këto janë pikërisht themelet e vetë projektit evropian.
Që nga lashtësia, toka shqiptare ka qenë pjesë e qytetërimit evropian, nga rrënjët ilire e deri te trashëgimia romake e bizantine që formësuan identitetin tonë kulturor.
Në Rilindjen Kombëtare, intelektualët tanë e panë të ardhmen e Shqipërisë si një komb modern, të orientuar drejt Perëndimit, me një vizion për një shoqëri të arsimuar, demokratike e të barabartë me kombet e tjera evropiane.
Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti kishte mision e vokacion evropian e ishte mbrojtës i qytetërimit e besimit evropian.
Nga kjo tokë lindi Nëna Zemërmadhe e botës, Nënë Tereza, që i shpalosi kombeve zemrën e vërtetë e të rrallë të shqiptarëve.
Shqipëria ka qenë, është e do të mbetet shembulli më unik në botë për bashkëjetesën dhe harmoninë fetare. Kjo është një vlerë e çmuar që na nderon ndërkombëtarisht.
Një prej qyteteve tona, Kukësi, u shpall kandidat për Çmimin Nobel për paqen, duke hyrë në histori si qyteti i parë në botë kandidat për këtë çmim.
Shqiptarët janë popull liberator. Historia e dëshmon se kurrë nuk kemi pushtuar por vetëm kemi mbrojtur vlerat dhe identitetin tonë.
Gjuha shqipe vazhdon e flitet ashtu siç lindi përpara mijëra vitesh.
Rezistenca e popullit shqiptar është epokale. Edhe pas gjysmë shekulli nën diktaturën më të ashpër në kontinent ne u rimëkëmbëm, e brenda tri dekadave nga një vend emigrator jemi vend mikpritës për të huaj nga e mbarë bota që tashmë punojnë e jetojnë këtu.
Një popull i vogël në numër por me shumë e shumë personalitete që po transformojnë botën në të gjitha fushat anëembanë globit.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një qëllim politik, e as nuk duhet të jetë një proces burokratik, është e drejtë e paralindur, rikthim në rrugën tonë natyrore historike, kulturore e shpirtërore.
Shqipëria është evropiane në rrënjë, në shpirt dhe në aspiratë.
Çdo shtetas i kësaj toke është krenar që është shqiptar, sepse kjo tokë është evropiane dhe ka lindur shpirtra evropianë.
Shqipëria duhet të anëtarësohet në BE që shqiptarët të marrin trashëgiminë e merituar dhe Evropa të gëzojë, e do gëzojë më shumë se ne, që mozaiku madhështor i kontinentit tonë më në fund u plotësua me gurin e çmuar që i kish munguar.





