Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca është zgjedhur Presidente e Bordit Drejtues të Qendrës Ndërkombëtare për Studime të Avancuara Agronomike Mesdhetare, organizatë që për 60 vjet kontribuon për të promovuar kooperimin multilateral mesdhetar në fushat e bujqësisë, të ushqimit, peshkimit dhe menaxhimit të territoreve rurale, duke patur si qëllim t’i përgjigjet nevojave të shteteve dhe aktorëve të agro-ushqimit.

Delegacionet e 13 shteteve anëtare të organizatës, në mbledhjen e 151-të që u mbajt në Institutin Oqeanografik të Parisit nominuan kandidaten nga Shqipëria, Frida Krifcan e cila do te jetë gruaja e parë në krye të Bordit Drejtues të CIHEAM. Shqipëria është anëtare prej 30 vjetësh e kësaj organizate europiane por asnjëherë më parë nuk ka mbajtur pozicione drejtuese. Krifca do të marrë detyrën në prill 2023 dhe Sekretari i ri i Përgjithshëm më 1 mars 2023.