Spektakël kuqezi në “Elbasan Arena”. Shqipëria triumfoi me rezultatin 5-0 ndaj San Marinos, në sfidën e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”, duke u ngjitur në vendin e dytë.
Rey Manaj, në minutën e 32, përfitoi nga një pasim me kokë i Bares në zonë, për të kaluar në avantazh kuqezinjtë. Futbollisti i ri i Spezias e dërgoi topin në rrjetë edhe dy herë të tjera në pjesën e parë, por VAR-i i anuloi për pozicion jashtë loje.
Në pjesën e dytë, me aktivizimin e Roshit dhe Brojës në vend të Trashit dhe Bajramit, kuqezinjtë gjetën rrugën e rrjetës edhe 4 herë të tjera, me anë të Laçit (58’), Brojës (61’), Hysajt (68’) dhe Uzunit (80’).





