7 qershor 2015 – Shqipëria mund sërish Serbinë. Bëhet fjalë për skuadrën e futbollit SV Albania që ka mposhtur me rezultatin 3-0 ekipin KE Serbia në sfidën e vlefshme për ligën e dytë rajonale të Vjenës në Austri. Skuadra e formuar nga emigrantët shqiptarë në Vjenë zhvilloi një ndeshje fantastike duke e dominuar nga fillimi në fund takimin, ndaj rivalëve të tyre serbë. Në praninë e një numri të konsiderueshëm tifozësh shqiptarë skuadra e SV Albanias arriti të kalonte në avantazh me kapitenin Zemri Deari në të 53-tën, ndërkohë që për ti vënë vulën fitores së skuadrës shqiptare mendoi Daniel Pretenjaca që realizoi edhe dy herë të tjera gjatë minutave në vazhdim duke fiksuar shifrat përfundimtare të këtij takimi në 3-0.Kjo ishte hera e dytë që SV Albania mund KE Serbian në këtë sezon të ligës së dytë rajonale të Vienës. Ashtu si takimi i kaluar edhe kjo sfidë nuk prodhoi asnjë incident. Kur ka mbetur edhe 1 javë nga fundi i sezonit skuadra shqiptare e SV Albanias është në rrugë të mbarë për t'u shpallur kampione pasi kryeson klasfikimin edhe pse gjithcka do të vendoset në ndeshjen e fundit.
Agjencia e lajmeve "Dyrrah"