Vaksinimi po ecën me ritme të shpejta në të gjithë Europën, teksa me afrimin e verës, vendet po përpiqen që të çlirojnë sa më shumë ekonominë e tyre.
Sipas “Worldindata”, që ndjek ecurinë e përditshme të vaksinimit, deri në datën 6 prill, Mbretëria e Bashkuar është shteti që ka ecur më mirë me këtë proces, duke administruar 55 doza për 100 mijë banorë. Shifra llogaritet si një dozë e vetme dhe mund të mos jetë e barabartë me numrin total të njerëzve që janë vaksinuar, në varësi të regjimit specifik, sqaron “Worldindata”.
Në Mbretërinë e Bashkuar, sipas sky.com, rreth 31.6 milionë persona (60% e të rriturve) e kanë marrë dozën e parë, ndërsa 5.5 milionë (10.4%) kanë marrë të dyja dozat. Shteti britanik ka filluar të lehtësojë gradualisht kufizimet, por ende nuk e ka bërë të qartë nëse do të lejojë që shtetasit e tij të mund të udhëtojnë për pushime në verë, duke lënë prenotimet pezull.
Serbia është vendi i dytë në Europë për ritmin e lartë të vaksinimit, me 38.5 doza për 100 banorë. Shteti ballkanik eci shpejt me procesin që në mesin e janarit, duke siguruar vaksina nga Pfizer si dhe ruse e kineze. Serbia jo vetëm ka ecur me shpejtësi për t’i dhënë doza popullatës së vet, por është kthyer dhe në një qendër rajonale vaksinimi. “New Europë” shkuante në fillim të prillit se mijëra njerëz nga vendet fqinje u dyndën në Serbi gjatë fundjavave të fundit për të marrë vaksinat e tyre ndërsa Beogradi shpërndau doza falas në një shenjë solidariteti që u vlerësua në të gjithë botën.
“Më shumë se 22,000 njerëz nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe madje edhe Kroacia bllokuan pikat kufitare për orë të tëra gjatë fundjavës, pasi Serbia i ftoi ata që të merrnin doza falas. Midis tyre kishte gjermanë, holandezë, austriakë dhe sllovakë. Shumica e shqiptarëve erdhën me avionë me çarter. Kjo fushatë pasoi donacionet e fundit serbe të mijëra vaksinave drejtpërdrejt për qeveritë në rajon”, shkruan “New Europe”. ‘Iniciativa erdhi nga Qeveria Serbe dhe Dhoma e Tregtisë, e cila dërgoi një ftesë për biznesmenë të tjerë në Ballkanin Perëndimor dhe fillimisht siguroi 10, 000 vaksina për punonjësit e rreth 1,500 ndërmarrjeve”.
Serbia, me një popullsi prej rreth 7 milionë banorësh, është vlerësuar shumë në botë për vaksinimin e saj, që renditet në mesin e pesë më të mirëve në botë. Imunizimi masiv filloi në Serbi që nga mesi i janarit dhe deri tani rreth 2.35 milionë doza janë administruar një herë dhe rreth një milion njerëz janë rivaksinuar. Vendi siguroi furnizimet e hershme të AstraZeneca, Pfizer, Sputnik V dhe Sinopharm. Deri tani nuk ka të dhëna se si ka ndikuar vaksinimi në imunizimin e popullatës serbe. Në gjysmën e parë të marsit, qeveria serbe u detyrua të marrë sërish masa shtrënguese gjatë fundjavave.
Shteti i tretë që ka ecur më shpejt me vaksinimin në Europë është Hungaria, me 22.5 doza për 100 banorë deri në 6 prill. Por, një artikull i “Washington Post” i datës 29 mars konstatonte se ndonëse Hungaria ka vaksinuar më shumë nga popullsia e saj se çdo vend tjetër në Bashkimin Evropian, ajo vazhdon të jetë një nga më të këqijat në botë në numrin e vdekjeve COVID-19 për frymë.
Shkalla e lartë e vaksinimit në Hungari, një produkt i një strategjie prokurimi që siguroi doza nga Kina dhe Rusia përveç atyre të ofruara nga BE, nuk ka qenë në gjendje të ngadalësojë një rritje të pandemisë që i ka dhënë asaj shkallën më të lartë të vdekshmërisë dy-javore për frymë në botë, sipas Universitetit Johns Hopkins. Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë, ka qenë kritik ndaj shpejtësisë së shpërndarjes së vaksinave të BE-së dhe kërkoi që vendi i tij të prishej me bllokun dhe të siguronte kontratat e vaksinave me vendet lindore. Hungaria ishte e para në BE që miratoi vaksinat Sinopharm të Kinës dhe Sputnik V të Rusisë, duke rritur furnizimet dhe duke e bërë atë një lider të BE-së në numrin e dozave të shpërndara për frymë, sipas “Washington Post”.
Shtetet e tjera me ritme të larta të vaksinimit janë Estonia, Danimarka, Islanda, Turqia, që kanë dhënë doza për të paktën një të pestën e popullsisë. Italia ka vaksinuar 19% të popullsisë, Greqia, rreth 18.7%.
Shqipëria, ndër pesë të fundit, me vaksinimin më të ulët të popullsisë në Europë
Pavarësisht shtimit të ritmit të vaksinimit gjatë dy javëve të fundit, Shqipëria renditet ndër vendet me përqindje më të ulët të popullsisë në Europë që e ka marrë të paktën një dozë dhe shumë poshtë mesatares europiane prej 18.5%. Deri në 6 prill ishin dhënë vaksina për 7.7% të popullsisë.
Shqipëria ia kalon vetëm Bullgarisë (7.5%), malit të Zi (5.5), Maqedonisë së Veriut (0.6%). Vendi që ka ecur më pak me vaksinimin në Europë është Kosova, që ka bërë doza vetëm për 0.13% të popullsisë.
Çfarë tregon përvoja e Izraelit
Në Izrael, 60% e popullsisë ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, me ritmet më të larta në botë, me vaksinën Pfizer. 80 për qind e popullsisë së rritur është plotësisht e vaksinuar dhe infeksionet e reja dhe vdekjet nga COVID-19 kanë rënë, sipas raportimeve të mediave. Ritmi i lartë i vaksinimit të Izraelit e ka bërë atë një nga vendet e pakta në gjendje të kthehet në pjesën më të madhe të rutinës së tij para-pandemike. Baret dhe bizneset, hotelet dhe klubet shëndetësore kanë filluar të kthehen në jetë në Izrael, shkruan “ctvnews.ca”. /Marrë nga Monitor