Tiranë, 6 gusht 2014 – Shqipëria është mes vendeve ballkanike që janë vënë në kërkim të gazit dhe naftës në ujërat e Adriatikut dhe Jonit. Lajmi vjen nga prestigjozja italiane Corriere della Sera, që në një artikull me titull “Gara për gazin e Adriatikut”, saktëson se Greqia dhe Mali i Zi kanë nisur ose po nisin gara ndërkombëtare për kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës dhe gazit në ujërat e tyre territoriale.
Sipas gazetës në fjalë, Shqipëria pritet të bëjë shumë shpejt të njëjtën gjë, ndërsa puset e para parashikohet të jenë operative në vitin 2018.
Në pararojë qëndron Kroacia, që më 2 prill nisi një garë për eksplorimin e ujërave të saj që do të përfundojë më 3 nëntor me prezantimin e ofertave. Bëhet fjalë për 29 blloqe prodhimi që Qeveria e Zagrebit synon të fillojë të shfrytëzojë brenda 3-5 vjetësh.
Sipas gazetës italiane, kriza ekonomike ka shërbyer si katalizator që fqinjët përballë çizmes të rrisin ritmin.
Zabrebi, Podgorica, Tirana dhe Athina kanë marrë shembull nga sa ndodhi në Qipro – shkruan Corriere della Sera – ku u zbuluan rreth 200 miliardë metra kub rezervë gazi.
T’i afrohesh sukseseve të tilla nuk do të jetë e lehtë, paralajmëron e përditshmja italiane, ndonëse pranon se sot është e pamundur të dish sa gaz dhe naftë gjendet nën Adriatik dhe Jon.
/abcnews/





