Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka një thirrje për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e ekipit të ekspertëve shqiptarë që do të përfaqësojnë vendin në Këshillin e Sigurimit të OKB.

Xhaçka bën me dije se për shkak të numrit të madh të kërkesave, afati i ri i aplikimit për t’u bërë pjesë e këtij ekipi është 30 qershori 2021.

“Vetëm pak javë më parë MEPJ hapi thirrjen për ekipin e ëndrrave që do përfaqësojë Shqipërinë gjatë mandatit 2-vjeçar në Këshillin e Sigurimit në OKB. Ka pasur me dhjetëra aplikime, shqiptarë nga e gjithë bota që kanë kërkuar t’I bashkohen ekipit tonë. Ka pasur kërkesa për ta shtyrë afatin. Mandatin në Këshillin e Sigurimit i jep Shqipërisë të drejtën të ulet në forumin më të lartë vendimmarrës global.

Të kontribuojë përmes ideve. Vështirë se mund të ketë pasur tregues më të qartë të respektit që gëzon sot Shqipëria, se sa votëbesimi që mori. Kjo na vë para përgjegjësisë. Ne duhet ta shfryëzojmë këtë mundësi të artë për të konsoliduar imazhin e Shqipërisë si një aktor serioz. Kemi nevojë për talente e ekspertizë shumë specifike në ekipin tonë. Kemi nevojë për më të mirët, më të mirëarsimuarit, për ata me më shumë përvojë.

Nëse jeni diplomuar në:

– marrëdhënie ndërkombëtare apo shkenca politike dhe keni së paku 5 vjet eksperiencë pune;

– drejtësi, dhe keni së paku 5 vjet eksperiencë pune në të drejtë ndërkombëtare;

– studime mjedisore, me fokus të veçantë tek ndryshimet klimatike, sfidat e ujit dhe konflikteve;

– keni studiuar apo keni eksperiencë në funksionimin e OKB apo metodat e punës së Këshillit të Sigurimit”, tha ministrja.