Nga Bledar Kurti
Sot Shqipëria është Presidente e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo ngjarje e rëndësishme për kombin tonë meriton vëmendje, dhe duhet të shërbejë si një moment krenarie, e duhet të na nxisë të kthejmë kokën pas e të kujtojmë përpjekjet e mëdha, të vështira e të mundimshme të vendit tonë për t’u integruar në këtë organizatë të 193 kombeve të bashkuara.
Që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, shumë patriotë shqiptarë u angazhuan në mbrojtjen e integritetit kombëtar të Shqipërisë duke bërë përpjekjet e tyre të vazhdueshme që Shqipëria të njihej e të pranohej ndërkombëtarisht.
Lufta e Parë Botërore ishte një kapitull vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë, dhe sigurisht Evropës dhe botës, ndaj edhe qendra të shumta pan-shqiptare në diasporë u angazhuan në misionin e ruajtjes të së drejtave kombëtare shqiptare, ndër më të rëndësishmet ishte Federata Panshqiptare Vatra në SHBA, e cila dërgoi Fan Nolin dhe Faik Konicën në Evropë, deri në mbarimin e luftës, për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare.
Roli i patriotëve shqiptarë, i diasporës, i Vatrës, etj, gjatë Konferencës së Paqes në Paris, e mbajtur në vitin 1919, pati ndikim të jashtëzakonshëm në ruajtjen e sovranitetit të Shqipërisë, duke influencuar edhe në vendimin e delegacionit amerikan të kryesuar nga Presidenti Wilson, mikun e madh të Shqipërisë, të cilin Noli e vlerësoi si “një emër që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare,” ndërsa Konica cilësoi se “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Presidentit Wilson një monument të pavdekshëm në zemrat e tyre.”
Presidenti Wilson ishte figura më kryesore në bashkimin e kombeve gjatë periudhës së pas luftës, duke propozuar një platformë me 14 pika, të cilat synonin të siguronin paqe ndër shtete, dhe të shërbenin si udhëzues për marrëdhënie më transparente dhe diplomatike midis kombeve. Mbi të gjitha për të krijuar një organizatë ndërkombëtare e cila do parandalonte një Luftë të Dytë Botërore. Kjo organizatë u krijua dhe u quajt Liga e Kombeve.
Përpjekjet e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Ligës së Kombeve ishin të shumta, por tejet të vështira, pasi haste kundërshti nga forca të mëdha evropiane. Pas përpjekjeve të mundimshme e këmbëngulëse të delegatëve shqiptarë vendi ynë u pranua në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor 1920. Ai akt shërbeu si një moment i kthesës së plotë në të mirë të çështjes së Shqipërisë, pasi kështu vendi ynë u njoh ndërkombëtarisht si një shtet sovran.
Liga e Kombeve dështoi të parandalonte një konflikt të dytë botëror, ndaj pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore lindi e nevojshme krijimi i një organizatë të re botërore, e cila u quajt Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ajo u formua në San Francisko, SHBA, më 24 Tetor 1945, me seli kryesore në Nju Jork, SHBA.
Edhe kësaj here rruga e Shqipërisë drejt një organizate të bashkimit të kombeve, në këtë rast OKB-së, ishte e vështirë dhe dukej e pamundur për shkak se vendi ynë kishte marrë drejtimin për një shtet totalitar komunist i cili shkelte rëndë të drejtat e njeriut. Vendit tonë iu deshën gati 10 vjet që të bënte pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kërkesa e parë u paraqit më 20 dhjetor 1945 ndërkohë që pranimi u mundësua më 14 dhjetor 1955.
Por edhe pas pranimit, Shqipëria pati marrëdhënie shumë të kufizuara me OKB-në për shkak të mungesës së marrëdhënieve normale me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, sikurse edhe me shumë vende të tjera demokratike perëndimore.
Vetëm me rënies e regjimit komunist Shqipëria i normalizoi marrëdhëniet me OKB-në dhe shtetet anëtare. Dhe vetëm në vitin 2022, pas afro shtatë dekadash që nga anëtarësimi në OKB, për herë të parë Shqipëria u votua për të qenë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023.
Dhehera e parë që Shqipëria mbajti presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë mandatit të saj në Këshill ishte 1 qershor 2022. Dhe më 1 shtator 2023 Shqipëria mori për herë të dytë Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila do ta mbajë deri në fund të këtij muaji.
Kësisoj, për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dy krenare, përçon edhe më shumë krenari teksa valëvitet në selinë e Kombeve të Bashkuara, ndër 193 flamuj të tjerë, por kësaj here në krye të tryezës së Këshillit të Sigurimit.