NJU-JORK , 6 mars 2013 – Shqipëria prezantoi në Nju Jork zotimin e Qeverisë për t’iu bashkuar nismës së UNWOMEN me ndërmarrjen e disa aksioneve për të parandaluar dhe luftuar dhunën me bazë gjinore.
Deklarata e Qeverisë së Shqipërisë, e nënshkruar nga Kryeministri Sali Berisha, u prezantua nga zëvendësministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Klajda Gjosha, gjatë punimeve të Sesionit të 57 të Komisionit për Statusin e Grave të Kombeve të Bashkuara, që po mbahet në Nju Jork.
Qeveria e Shqipërisë, përmes deklaratës ‘COMMIT’, zotohet “të bëjë ndërhyrje në Kodin Penal për ashpërsimin e dënimeve për shkaktarët e dhunës ndaj grave dhe vajzave, të ofrojë shërbim ligjor falas për viktimat e dhunës dhe të ndërmarrë fushata sensibilizuese me pjesëmarrjen edhe të djemve dhe burrave për t’i dhënë fund dhunës në familje, si një fenomen i patolorueshëm shoqëror”, njoftoi Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
/th.m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





