Shqipëria po prezantohet në platformën e rëndësishme ndërkombëtare për zhvillimin dhe investimet në pasuri të paluajtshme, në Tregun Ndërkombëtar për Profesionistët e Pasurive të Paluajtshme (MIPIM), në Cannes, Francë.
I pranishëm ishte dhe Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili përfaqëson vendin tonë në pavijonin “Soundscapes of Albania”, me një portofol prej 83 projektesh strategjike që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e turizmit, infrastrukturës dhe territorit.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Gonxhja ka ndarë pamje nga MIPIM 2026, teksa shkruan se është nder përfaqësimi në këtë platformë ndërkombëtare.
“Në MIPIM 2026 në Cannes, Francë, po prezantojmë Shqipërinë në një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare për zhvillimin dhe investimet në pasuri të paluajtshme, me një portofol prej 83 projektesh strategjike që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e turizmit, infrastrukturës dhe territorit; përmes pavijonit “Soundscapes of Albania” po ndajmë me partnerë dhe investitorë ndërkombëtarë potencialin e jashtëzakonshëm turistik të vendit tonë dhe vizionin tonë për një turizëm cilësor, të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, duke konsoliduar gjithnjë e më shumë pozicionin e Shqipërisë si një destinacion tërheqës për turizmin dhe investimet ndërkombëtare. Si drejtues i delegacionit shqiptar dhe në cilësinë e Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, është nder të përfaqësoj Shqipërinë në këtë platformë të rëndësishme ndërkombëtare dhe të kontribuoj në forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit me partnerë e investitorë që ndajnë vizionin për zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë“, shkruan ai.





