TIRANE – Shqipëria është renditur në vendin e 27-të nga 43 vende në Europë në Indeksin e Lirisë Ekonomike, ekonomia ka përfituar ndjeshëm në një 10-vjeçar zgjerimi dhe ka përballuar relativisht mirë ndikimin nga kriza ekonomike globale, theksohet në një botim së fundi të "Heritage Foundation". 

Sipas këtij vlerësimi, Shqipëria është vlerësuar me 65.2 pikë, duke e bërë ekonominë të 58-ën, më të lirë për indeksin e vitit 2013. Ndërsa theksohet se ecuria e përgjithshme ka shënuar një rritje prej 0.1 pikë, raportohen përkeqësime në të drejtat e pronësisë dhe lirisë në punë. Por këto zhvillime janë kompensuar nga përmirësimet në lirinë e të bërit biznes dhe manaxhimin e financave publike. 

Ekonomia shqiptare ka përfituar ndjeshëm në një 10-vjeçar zgjerimi dhe ka përballuar relativisht mirë ndikimin nga kriza ekonomike globale dhe "Heritage Foundation" nënvizon se, ecuria e ekonomisë gjatë 2 viteve të fundit ka regjistruar ngadalësim. 

Raporti i Indeksit të Lirisë Ekonomike për vitin 2013 ka theksuar se reformat e thella institucionale për të përmirësuar rregullat në tregun e punës dhe rritja e efektshmërisë së sistemit gjyqësor, që mbetet subjekt i ndërhyrjeve politike, janë shumë thelbësore për një sukses të mëtejshëm.

Raporti ka ngritur shqetësim për nivelin e korrupsionit në vend, i cili vijon të dëmtojë pritshmëritë për zhvillimin ekonomik në terma afatgjatë. Ndërsa listohet pas Maqedonisë, të renditur në vend të 21-të nga 43 vendet Europiane, Shqipëria ka lënë pas dy nga ekonomitë e rajonit, Malin e Zi dhe Serbinë.