Shqipëria ka fituar një vend në renditjen mujore të FIFA-s, për mars 2016. Nga vendi i 36-të, kombëtarja e drejtuar nga De Biazi e sheh veten në vendin e 35-të, edhe pse nuk ka luajtur ndonjë ndeshje në periudhën kohore mes dy vlerësimeve përkatëse.
Në prag të dy miqësoreve të këtij muaji, me Austrinë dhe Luksemburgun, kuqezinjtë marrin një lajm inkurajues, gjithsesi. Nga ana tjetër, për të rikonfirmuar shkallën e vështirësisë që paraqet kundërshtari i 26 marsit, në Vjenë, vlen edhe ky klasifikim i radhës nga qeveria botërore e futbollit. Konkretisht, Austria pozicionohet në vendin e dhjetë, duke mbyllur “top 10” e kombëtareve më të mira në glob.
Nëse e qëmtojmë këtë renditje mujore në raport me kundërshtarët që kemi në Grupin A të fazës finale të “Euro 2016”, Shqipëria është e fundit. Zvicra ruan vendin e 12-të në renditjen e FIFA-s për mars 2016, pa lëvizur fare, as para dhe as mbas, ndërsa Rumania është katër vende larg saj. Kombëtarja e drejtuar nga Iordanesku ka ruajtur vendin e 16-të, si në muajin e shkuar. Franca vjen e treta në Grupin A të “Euro 2016”, sipas riformatimit përkatës të renditjes së FIFA-s, transalpinët kanë ruajtur vendin e 24-t.
Pra, vetëm Shqipëria ka ngjitur një vend për muajin mars, në raport me rivalët e grupit në Kampionatin Europian, por ama ka vlerësimin më të dobët se tre finalistët e tjerë, me të cilët De Biazi dhe të tijtë do të “përplasin brirët” në Francë, verën e këtij viti.