Për herë të parë në Shqipëri, djemtë janë përfshirë në programin kombëtar të vaksinimit kundër HPV-së (virusi i Papilomës humane), duke shënuar një hap të rëndësishëm në politikat e parandalimit të sëmundjeve infektive dhe onkologjike.
Nisja e fushatës së vaksinimit për djemtë që në ditët e para të janarit vjen në një kohë kur infeksioni HPV mbetet një nga viruset më të përhapura, që prek si vajzat, ashtu edhe djemtë, shpesh pa shenja të dukshme, por me pasoja serioze për shëndetin në afatgjatë.
Në një intervistë për ATSH, Rovena Daja – drejtuese e programit të vaksinimit pranë Institutit të Shëndetit Publik (IShP) – shpjegon arsyet pse vaksinimi i djemve konsiderohet i domosdoshëm, përfitimet që sjell kjo masë jo vetëm për individin, por edhe për komunitetin, si dhe rëndësinë e ndërgjegjësimit të prindërve për të siguruar mbulim sa më të gjerë të vaksinimit në këtë grupmoshë, si te vajzat ashtu edhe te djemtë.
Daja shprehet se infeksioni nga HPV-ja është infeksioni viral më i shpeshtë i traktit riprodhues dhe shkakton një sërë sëmundjesh dhe gjendjesh si te femrat, dhe te meshkujt, duke përfshirë këtu lezionet prekanceroze, të cilat mund të shndërrohen në kancer.
“Megjithëse shumica e infeksioneve nga HPV-ja nuk shkaktojnë shenja klinike dhe pastrohen në mënyrë spontane, infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me HPV mund të çojë në sëmundje serioze te femrat, por edhe te meshkujt. Infeksionet e vazhdueshme me një ose më shumë tipa të HPV-së me “risk të lartë” (ose onkogjenikë) mund të çojë drejt lezioneve prekanceroze, të cilat në rast se nuk trajtohen mund të shpien drejt kancerit të qafës së mitrës apo të cerviksit apo kancere të tjerë gjenitalë”, tha ajo.
Sipas Dajës, përfshirja e djemve në programet e vaksinimit ndaj HPV-së është një masë thelbësore e shëndetit publik, e mbështetur gjerësisht nga evidenca shkencore dhe praktikat ndërkombëtare.
Daja shprehet se “infeksioni me HPV te meshkujt mund të çojë në lytha gjenitalë, kancer të anusit, kancer të penisit dhe kancer të gojës dhe fytit (orofaringeal). Këto kancere janë në rritje, veçanërisht te meshkujt, dhe për shumicën e tyre nuk ekzistojnë programe depistimi, gjë që i bën masat parandaluese edhe më të rëndësishme”.
“Vaksinimi i meshkujve ul ndjeshëm transmetimin e virusit në popullatë. Duke reduktuar qarkullimin e HPV-së, mbrohen edhe partneret seksuale dhe kontribuohet në krijimin e imunitetit të popullatës. Vetëm vaksinimi i vajzave nuk është i mjaftueshëm për të frenuar plotësisht përhapjen e virusit, sidomos në popullata me lëvizje të larta dhe sjellje të ndryshme seksuale”, nënvizon Daja.





