Ligji për industrinë ushtarake ka hyrë tashmë në fuqi, duke i hapur rrugë prodhimit të armëve përmes modernizimit dhe rivitalizimit të kapaciteteve të trashëguara të kësaj industrie në Shqipëri.

Ringritja e industrisë ushtarake adreson jo vetëm aspektet teknologjike dhe operative, por edhe ato ligjore, financiare, ekonomike, sociale dhe ambientale, nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me sektorin privat.

Tre janë uzinat që do të transformohen për të ringritur Industrinë Ushtarake në vend. Municionet prodhohen në kombinatin mekanik të Poliçanit, armatimi në uzinën mekanike të Gramshit dhe eksplozivët në uzinën e mjekësit.

Një ditë më parë Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu vizitoi uzinën e Mjekësit në Elbasan, ku theksoi se përveç investimeve që ligji i ri i siguron për ta transformuar këtë uzinë, paketa ligjore adreson edhe shlyerjen e detyrimeve të papaguara ndaj punonjësve.

Gjatë samitit të NATO-s në lituani një vit më parë, u theksua nevoja për një industri të fortë të mbrojtjes, nevojë që mbetet prioritet pas fillimit të luftës në Ukrainë.