Fondet e ndihmës ekonomike janë ulur gjatë viteve të fundit. Në pjesën e parë të këtij viti, për familjet e varfra ka pasur në dispozicion 12.9 miliardë lekë, me rënie 5% në raport me vitin 2024.
Ky buxhet tregon se mbështetja financiare për familjet në nevojë, sot qëndron në nivelin më të ulët të 6 viteve të fundit, ku piku u arrit në vitin 2020 me 14.5 mld lekë.
Pas vitit të pandemisë, shpenzimet për këtë program kanë njohur ulje të vazhdueshme, ku në 2021-shin, fondet ranë në 13.9 miliardë lekë, ndërsa në 2022 zbritën në 13.5 miliardë.
Por me kalimin e viteve, inflacioni dhe kostoja e jetesës janë rritur, duke bërë që mbështetja tek shtresat e varfra të thellojë pabarazinë dhe mundësitë e një jetese në nivelet e minimumit jetik.
Me këto kuota, Shqipëria renditet ndër vendet me shpenzimet më të ulëta për mbrojtje sociale në rajon ku shuma mujore për familje arrin në 70 euro.





