“Shqipëria një dhe njëmijë” është libër i një shkrimtari kontrovers, Indro Montanelli zëmadh (1919-2001): gazetar ndër më të zotët, historian ndër më të shquarit jo vetëm italianë, por edhe europianë. Ai është shkrimtar kontrovers posaçërisht në këtë libër: jo vetëm për nga fryma e një propagande të caktuar ideologjike që fryn faqeve të tij, por edhe për nga ato lajthime të tij historike që mund të na ngjajnë neve sot qesharake; për ndonjë, opinionet që formulon lidhur me çështjen e besimeve të shqiptarëve, për shembull për Krishterizmin orthodhoks apo Islamin shqiptar; po ashtu për një përmasë monomaniake kolonializmi ekonomik e kulturor të cilën, me sa kuptohet, në kohën kur shkruante për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e ka përmbajtur dot. Montanelli ishte “fashist i thekur”, sikurse kolegët e tij e quanin, por padyshim mund të cilësohet si ndër shkrimtarët më realistë sa u përket pikërisht njohjes, studimit dhe përshkrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo atij nuk mund t’i mohohet. Për këtë arsye, me gjithë pasaktësitë e aty-këtushme që ndeshen në këtë libër të tijin, me gjithë bizaritë apo tuhafëritë, librin e tij është më mirë ta njohim sesa t’ia lëmë pluhurit të bibliotekave italiane. Duke e zhveshur prej leckave të ideologjisë së kohës, me siguri mjaft gjëra do të na mbeten prej leximit të tij: do përfundime që qëndrojnë ende në fuqi dhe që dëshmojnë mprehtësinë e vrojtimit, njëherësh të analizës dhe sintezës, të gazetarit shumë të aftë që ai ishte. Rrjedhin prej tyre edhe një varg të vërtetash gjithnjë të pazvenitura nga kalimi i kohës, që ndodhen në pikëprerjen e asaj çfarë është historike me atë çfarë është e përjetshme tek shqiptarët.

GJUHË, LETËRSI, ARSIM

Glotologët, kur nuk kuptojnë asgjë prej një gjuhe, thonë se ajo vjen nga një gjuhë tjetër, tanimë e vdekur dhe me gjurmë të zhdukura. Kështu kanë thënë edhe për gjuhën shqipe, duke e bërë atë të vijë prej trakishtes, prej trakishtes së ndier e të panjohur. Meqenëse nuk jam aspak kompetent në këtë çështje, po tejshkruaj: shqipja është një gjuhë indo-europiane, me prejardhje trake ose ilire. Dhe ndërsa specialistët e zanatit diskutojnë mes tyre për këtë formulim, kaloj në një konstatim të dytë, ky i kontrolluar prej meje: që Shqipëria gjuhësorisht është e bashkuar.

Ngjyrime dialektore kuptohet që ka, por pa tepër larmi as rëndësi. Dialektet tekefundit janë vetëm dy: gegnishtja dhe toskërishtja ndryshojnë mes tyre më pak nga sa ndryshojnë siqilishtja prej piemontishtes. Kjo është prova, që duket sheshit, e njësisë thelbësore të popullit shqiptar: të përshkruarit e gjuhës së tij riprodhon në përsosmëri të përshkruarit e tij politik. Është një gjuhë mbi të cilën sunduesit e ndryshëm kanë ndikuar nga ana e tyre duke mbjellë në të elemente të vetat, por pa ia dalë kurrë t'i mbivendosen asaj. Latinishtja ka lënë gjurmë, së pari me Romën perandorake, mandej me Romën katolike; mandej italishtja me Venedikun; mandej ndikuan në të sllavët; mandej turqit dhe grekët modernë (greqishtja e vjetër jo, nuk hyn në llogari). Thellësia e këtyre mbresimeve ndryshon nga vendi në vend: italishtja dhe latinishtja në rripin bregdetar, sllavishtja në veriun malor, greqishtja në jug. Por në vend që të shpërbëhej në kthinorizmin e gjithë atyre dialekteve, nënshtruar kush këtij e kush atij ndikimi, shqipja përzieu dhe shkriu dhe sidomos shqipëzoi, duke ia dalë gjithmonë ta ruanjë veten e njëjtë. Dukuri edhe më për t'u admiruar po të mbahet parasysh që sunduesit e huaj, përjashto Romë dhe Venedik, e përndoqën gjuhën shqipe së cilës, si gjuhë letrare, iu desh të gjente strehë në Itali.

Kjo shpjegon edhe një fakt tjetër: varfërinë e letërsisë. E shpjegon përgjysmë. Për gjysmën tjetër fakti shpjegohet nga gjenia e veçantë e shqiptarit: gjeni mirëfilli mesdhetare, që e bën atë më shumë të gojës se të shkrimit. Biblioteka në gjuhën shqipe është e pakët dhe fillon vonë. Vetëm më 1462 filluan të shkruanin libra në latinishte; disa vjet më vonë, t'i shkruanin në toskërishte; ndërsa t'i shkruanin në gegnishte vetëm më 1555: një meshar, prej të cilit na mbeten veç një qindshe faqesh. Gjithë këto dokumente shumë të vjetra u patën botuar në Itali, që mbeti mandej gjithnjë djepi natyror i letërsisë dhe i gjuhës shqipe për nga veprimtaria e italo-shqiptarëve të Puljes dhe të Siqilisë. Në vetë atdheun e vet letërsia shqipe lulëzoi sidomos në qytetin më të latinizuar dhe italianizuar të vendit: në Shkodër, Firencja e Shqipërisë.

Sot çështje letrare dhe gjuhësore janë të lidhura me problemin shkollor, që mbetet gjithmonë i vështirë për t'u zgjidhur. Jo se shqiptarët nuk dashkëshin të arsimohen ose nuk paskëshin njerëz mjaft të aftë për të ndërtuar një shtatmadhori mësuesish; por janë kushtet e mjerimit në të cilat jetojnë, komunikacionet e pasigurta, mungesa e ndërtesave ato që ia zgjasin jetën plagës së analfabetizmit. Përderisa analfabetizmi ngadhënjen – dhe ai ende ngadhënjen, sepse këto janë lëngata që shërohen ngadalë – nuk ka një masë lexuesish dhe përderisa nuk ka një masë lexuesish mungon një élite shkrimtarësh. Dukuri për të ardhur edhe më keq përderisa gjenia artistike, veçanërisht poetike, e këtyre njerëzve është e gjallë: çdo shqiptar, posaçërisht çdo shqiptar i veriut, është një rapsod, ndërsa legjendat dhe këngët popullore kanë në vetvete aq lëndë epike sa do të mjaftonte për të varrosur gjithë pjesën tjetër të poezisë europiane të ditës së sotme.

Kuptohet që gjithë kjo poezi është, si me thënë, paraleterare, krejt homerike e primitive. Lënda e saj është epike dhe ka të bëjë me bëmat e heronjve kombëtarë: lind mes shekullit të katërmbëdhjetë dhe të pesëmbëdhjetë, shekuj të krishterë, dhe e krishterë mbetet edhe në dellëzimet e saj kalorësiake dhe provensale. Si forma dhe ton, deri edhe si metrike, ka mbetur e paprekur ende sot: është një trashëgimi e kaluar nga brezi në brez, anonime, që çdo këngëtar e shfrytëzon dhe e ndryshon paksa: si në Greqinë parahomerike, poezia shqiptare është fryt populli, jo individësh.

Kërshëror është një fakt: që qendrat në të cilat poezia është zhvilluar më shumë dhe mishëruar më mirë në traditë janë kolonitë shqiptare jashtë, sidomos në Itali. Kërshëror deri në njëfarë pike, sepse dukuria shpjegohet duke mbajtur mirë parasysh, nga njëra anë, larminë e kushteve të jetesës në të cilat u ndodhën ikanakët e strehuar në Gadishullin italik dhe menjëherë të përfillur këtu si qytetarë të mirëfilltë dhe, nga ana tjetër, kushtet në të cilat, përkundrazi, u ndodhën të mbeturit në atdhe nën kthetrën turke. Në ndryshimin prej krishterimit, fe thellësisht e ndier, muslimanizmi, fe e shtënë me zor – dhe e bërë zakon para se të ishte fe – nuk u frymëzoi shqiptarëve as edhe një strofë: të krishterë janë Karlët e tyre të Mëdhenj dhe Olivierët e tyre, nga familja e madhe kalorësiake europiane; i krishterë është Skënderbeu që e bëri shpejt kalimin nga historia në legjendë; i krishterë është Mujo, i krishterë Marko Kraljeviqi. Dhe, nëse ndonjë emër musliman ose i muslimanizuar ndeshet, ky është rebel, si Ali Tepelena, si veziri i Bushatllinjve, si Mehmet Aliu.

Kësaj trashëgimie artistike kulturore, që mua këtu më intereson vetëm si shejnjë dhe e dhënë politike, një regjim i ndërgjegjshëm nuk mund të mos ketë kujdesin e tij mëshojë. Fetarisht e ndarë, politikisht e përçarë, socialisht gjithë kundërshti, ekonomikisht e shkërmoqur, e vetmja traditë njëjtësore, e gjallë dhe në veprim, është kjo traditë shpirtërore e gjuhës dhe e poezisë. Vetëm sipërfaqësorëve mund t'u duket e çuditshme që një popull thuajse analfabet të mbështetet mbi kulturën për të zgjidhur problemet e tij. Por fakti është që kultura më e madhe mund të bashkëjetojë me një analfabetizëm të përhapur: zanati im prej gazetari bredharak më ka vënë në takim me popuj, si në Spanjë, të pasur me një kulturë tradicionale dhe që nuk dinë shkrim e këndim; si dhe me popuj të tjerë, si në Suedi që, duke ditur mjaft mirë shkrim e këndim nga qytetari i parë tek i fundit, mbeteshin dhe mbeten pa kulturë, barbarë të pashërueshëm.

E vërteta është kjo: që shqiptari është, si përcaktim, njeri i kultivuar. Mund të jetë kulturë primitive, por është kulturë. Shihet kjo prej vetë veshjes së jashtme, prej të mbajturit si zotëri, prej hollësisht të padallueshme që një syri të stërvitur me të maturit e njeriut nuk i shpëtojnë. Përballë shumë malësorësh, që nënshkruajnë me gishtin e madh njollosur me ngjyrë, kam provuar një ndjesi të qeni më i ulët që asnjë dykëmbësh i qytetëruar i Perëndimit nuk ma ka frymëzuar. Por kjo – të merremi vesh – nuk është arsye në mbrojtje të analfabetizmit, i cili përbën një tjetër problem, madje kushtin për zgjidhjen e gjithë problemeve të tjera. Nëse në fushën e poezisë popullore analfabetizmi është një faktor ndoshta më aktiv se pasiv, ai përbën një pengesë të madhe për procesin e njësimit dhe përparimit të vendit. Këto klasa të famshme – e mesmja dhe drejtuesja, e cila do të dalë nga e mesmja – si t'i formosh ndryshe pos se nëpërmes shkollës? Dhe si t'i shtysh ndryshe drejt shkollës pos se duke u dhënë provën, me fakte në dorë, se meritat kulturore do të vlerësohen me drejtësi nga përgjegjësit e fateve të vendit?

Shqipëria i ka dhënë vetes, hëpërhë, klasën drejtuese që ka mundur: elementë kuadrosh të vjetër, shpëtuar nga stuhitë, rritur e shumta në regjim turk, i cili ndiqte koncepte politike dhe administrative të papërshtatshme për një vend që të dojë të ngrihet me shpejtësi në nivelin popujve të tjerë europianë. Kjo do të thotë që e ardhmja e Shqipërisë është e gjitha në duart e të rinjve. E ardhmja e çdo populli, dhe për rrethana fiziologjike që vetëkuptohen, është gjithnjë në duart e të rinjve. Por në Shqipëri kjo e vërtetë është edhe më aksiomatike. “Ndërrimroja” mes brezave duhet të përshpejtohet sa më shumë të jetë e mundur.

Dhe duhet bërë kujdes sidomos për një arsim tekniko-shkencor, një arsim profesional, duke mbajtur parasysh se profesioni i avokatit nuk është i vetmi në botë. Është përnjëmend e jashtëzakonshme, alarmuese, se sa avuketër ka apo do të ketë së shpejti në Shqipëri. Mjekë, kimistë, inxhenierë, të pamjaftueshëm; por një uragan avuketrish në kërkim davash. Janë të gjitha çekuilibrime, që ndikojnë thellësisht në strukturën sociale dhe në stabilitetin e Shqipërisë. Dhe, më së fundi, telashi i zakonshëm: imperativi i arsimit është kategorik vetëm në kryeqytet dhe në qendrat më të mëdha, ndërsa në fshatrat dhe në katundet ai mbetet shpesh platonik, pa efektshmëri. Edhe ky një tjetër çekuilibrim i rrezikshëm, sepse pakicat qytetare të arsimuara, kur të jenë të arsimuara, do të rrezikojnë të ndodhen të izoluara përballë një mase të pakultivuar në kuptim modern perëndimor. Do të flasin dhe nuk do t'i kuptojnë. Do të dëgjojnë dhe nuk do të kuptojnë. Dy kultura ballë-për-ballë, të huaja: njëra, ajo e nxënë në Perëndim; tjetra, ajo e nxënë prej etërve.

Por, nëse çunaku fshatar ka disa rrethana lehtësuese për tëhuajtjen e tij ndaj shkollës, asnjë rrethanë lehtësuese nuk ka djaloshi prej familjeje të mirë që, ngase ka studiuar në Perëndim, e ndien veten të huaj në vendin e vet dhe nuk përkulet mbi të voglin popull të tijin shumë të madh për t'ia kuptuar zërin dhe fjalët.

Sot në Shqipëri ka 630 shkolla fillore me 60.000 nxënës: dyfishi i shkollave dhe i nxënësve të dhjetë vjetëve të shkuar. Ka mandej dhjetë shkolla pune dhe tetë institute të shkallës së dytë, me rreth katërmijë nxënës gjithë-gjithë. Dhe është në zbatim e sipër një reformë e gjerë e përgjithshme e shkollës fillore. Në krahasim me të kaluarën e afërme, është tanimë një përparim i madh; në krahasim me të kaluarën e largme, është një mrekulli. Duhet mbërritur, për nevojat e vendit, në njëmijë shkolla fillore; ndërsa për ekonominë private shqiptare, për zhvillimin e saj, për ekuilibrin e saj lypset një sistem arsimi më në përputhje me realitetin; e kam fjalën me realitetin bujqësor-blegtoral të Shqipërisë. Më pak klasicizëm dhe më shumë praktikë: arsim më shumë se kulturë. Një kulturë shekullore klasike shqiptari e thith me qumështin e mëmës; një arsim teknik, një ndërgjegje fshatarake-baritore, një përgatitje profesionale e artizane qumështi i mëmës nuk ia jep: ia jep shkolla.