Nga Mentor Kikia
Unë nuk besoj se Shqipëria është vendi më i bukur në Botë, siç thonë politikanët në fushata zgjedhore. Por është një vend, të cilit natyra i ka dhuruar cdo gjë për t’u garantuar mirëqenie atyre që jetojnë në këtë tokë. Detë, male, ujë, liqene, pyje, lumenj, pasuri natyrore… Malësori, për dy orë gjendet në det, e bregdetari për dy orë gjendet në mal. Mund të shijosh çdo gjë. Në çdo 40 km kalon një lumë… Në këtë drejtim mund të themi se ky vend është i bekuar.
Por këtë tokë ne po e bëjmë të pajetueshme. Me një zell prej kolonizatori shkatërruam pyjet, lumenjtë, argjinaturat, kanalet, tokën, bregdetin… Dhe sot jemi në kushtet kur vetëm me një ditë shi, gjysma e ultësirës mbulohet nga uji. Lumenjtë me një ditë shi dalin nga shtrati e bëjnë batërdinë. Çdo vit, njerëz më lecka në krahë që thonë: Ka 15 vjet që nuk janë pastruar këto kanale. Vitin tjetër thonë kanë 16,…18…20.. 22… 25 vjet…. Në qytete e fshatra është ndërtuar kuturu, ngul shtëpi e pallate dhe ik. Qeveritë, për arsye elektorale, (këto dreq zgjedhjesh duket se janë “mallikmi” më i madh i këtij vendi) kanë lejuar popullin të shkatërrojë tokën e tij. Po për arsye elektorale, qeveritë nuk kanë menduar asnjëherë seriozisht për investime afatgjata, por vetëm për kanale e prita një përdorimshe. Dhe ja ku jemi. Çdo stinë reshjesh me lecka në krahë e me kosto gjithnjë e më të mëdha për ekonominë.
Ç'po bëjmë me këtë vend vallë? A po e bëjmë të pamundur jetesën në këtë tokë? Druaj se po. Ne duhet të mendojmë seriozisht të frenojmë shkatërrimin e të fillojmë të ndërtojmë prita, të sistemojmë lumenjtë, të ndalim shkatërrimin e pyjeve dhe tokës. Të ndërtojmë, por jo argjinatura elektorale, hidh një karrocë zhavorr sa për fushatë. Pra, nëse nuk e bëjmë këtë, ne do të bredhim “si çifuti” jo nëpër shkretëtirë, po nëpër kënetë për të kërkuar një copë tokë ku të vëmë këmbët. Dhe atëherë do të jetë vonë.
Mallkimi i ketij vendi jemi vete ne!





