Kombëtarja e Basketbollit për meshkuj mëson kundërshtarët për parakualifikueset e kampionatit Europian të vitit 2021 në një kohë kur në rend të ditës mbetet cështja e stolit. Goglat e shortit vendosën Shqipërinë në grupin B bashkë me Danimarkën dhe Armeninë, me Shqipërinë që i duhet të përfundojë e para e grupit për të vijuar më tej rrugën në fazën kualifikuese.
Armenia nuk është një kundërshtar i panjohur për Shqipërinë që është ndeshur dy herë me këtë skuadër në takime miqësore në kuadër të përgatitjeve për paraeleminatoret e Botërorit 2019 që përfunduar para pak ditësh, duke u mundur dy herë me rezultat të ngushtë nga armenët. Gjithsesi para përgatitjeve të paraeleminatoreve të Euro 2021 Shqipërisë i duhet të zgjidhë cështjen e trajnerit.
Tekniku qipriot Antonis Constadinides dha dorëheqjen publikisht nga drejtimi i Kombëtares shqiptare para pak diësh pas humbjes së thellë që skuadra pësoi në shifrat 37-113 nga Holanda, ndërkohë që në Federatën Shqiptare të Basketbollit nuk e përjashtojnë mundësinë e vazhdimit të punës me trajnerin qipriot dhe pritet që së shpejti të dalin me një vendim zyrtar në lidhje me cështjen e stolit.





