TIRANË, 11 shkurt 2013 – Zhvillimi i Kinës sjell një mundësi të re për zhvillimin e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë, tha para disa ditësh ambasadori kinez Xhe (Je) Hao në Tiranë, në një takim me studentë të gjuhës kineze në Universitetin e Tiranës.
Sipas Hao-s, viti 2012 ishte një vit me rezultate të frytshme në shkëmbime dhe në bashkëpunimin midis dy vendeve tona në fusha të ndryshme. Shkëmbimet e nivelit të lartë kanë qenë të shpeshta. Liu Çi, anëtar i zyrës politike të PKK dhe sekretari i partisë në Pekin; Zhang Rongming, zëvendëspresidentja e Konferencës Konsultative Politike të Popullit të Kinës vizituan Shqipërinë.
Në prill, kryeministri kinez Ven Xhiabao u takua me Edmond Haxhinaston, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, në samitin midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Ministri i Punëve të Jashtme Panariti, Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, zëvendësministri i Punëve të Jashtme Selim Belortaja dhe kryetari i bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha kanë vizituar Kinën.
Orkestra e Nanjing, “Netët e Pekinit” dhe “Artet Marciale Kineze” erdhën në Shqipëri, duke mbushur kështu vakuumin e krijuar në fushën e shkëmbimeve kulturore në 8 vitet e shkuara.
Dy vendet nënshkruan një memorandum mbi turizmin dhe agjencitë turistike kineze zyrtarisht filluan të organizojnë grupe turistësh në Shqipëri për turizëm. Në këto momente, është në rrugë e sipër ngritja e Institutit të Konfucit në Shqipëri dhe i klasave të gjuhës kineze në shkollat fillore dhe të mesme. Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtia janë thelluar edhe më tepër.
Në muajin maj në Tiranë u mbajt Panairi Ndërkombëtar i Teknologjisë dhe Investimeve në lidhje me Kinën, ku morën pjesë 70 kompani kineze dhe mbi 100 sipërmarrës kinezë.
Në vitin 2012, më shumë se 40 grupe, dhe rreth 500 sipërmarrës kinezë kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë zgjeruar hapësirat e tregtisë dhe investimeve midis dy vendeve.
Po ashtu filluan shkëmbimet në fushën ushtarake; në shtator 2012 gjeneral-lejtnant Dai Sujun, zëvendëskomandant i Policisë Ushtarake të Përgjithshme të Kinës ishte në krye të delegacionit që erdhi në Shqipëri, duke filluar kështu bashkëpunimin ushtarak dhe shkëmbimet midis dy vendeve.
Në prill 2012, Kryeministri Ven Xhiabao njoftoi mbi 12 masat e Kinës për të promovuar bashkëpunimin miqësor me 16 vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në takimin që pati me liderët e këtyre vendeve në Poloni. Sipas kreut të ambasadës, mund të thuhet se ka ardhur pranvera e bashkëpunimit midis Kinës dhe Shqipërisë.
Ndërkohë, pas dështimit të ofertës prej 850 milionë eurosh, të ofruar nga kompania “Vetro Energy” për privatizimin e Albpetrolit, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Edmond Haxhinasto tha se me vendim të Këshillit të Ministrave, grupi negociator ka nisur procesin e vlerësimit të ofertës së dytë.
Kjo ofertë është 297 milionë euro dhe ajo është dhënë nga kompania kineze “Ëin Business Energy”.
“Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin, në bazë të rekomandimit nga grupi negociator, që e ka vlerësuar ofertën e parë të pavlefshme. Ky vendim ka autorizuar grupin negociator të vazhdojë me shqyrtimin e ofertave të tjera, siç e parashikon ligji”, tha Haxhinasto. Por bie në sy se Tirana zyrtare, de fakto, njeh dy Kina.
Përveç marrëdhënieve të ngushta me Pekinin, Shqipëria ka lehtësuar regjimin e vizave me atë që quhet Kina Nacionaliste, qeverinë e ishullit të Tajvanit. Madje, sikurse ka njoftuar dhe Agjencia e lajmeve “Dyrrah”, duke iu referuar sajtit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe medieve të Tajpehut, bëri të ditur se zëdhënësi i partisë në pushtet në Tajvan, Inj Vej (Yin Wei) vizitoi Shqipërinë në kuadrin e takimit vjetor të Bashkimit Ndërkombëtar të Forumeve Rinore të Qendrës së Djathtë (IYDU), që u mbajt më 6-10 shkurt në Tiranë.
Inj Vej deklaroi se regjimi pa viza që aplikon Shqipëria i mundësoi të vinte në këtë vend, gjë që i dha përvojën personale për rezultatet e përpjekjeve që Tajvani ka ndërmarrë në vite për të përmirësuar statusin ndërkombëtar, pavarësisht trysnisë së Kinës.
Inj Vej përmendi se Shqipëria mbante qëndrim armiqësor ndaj Tajvan në vitet 1960 kur Tajvani u zëvendësua në OKB me Kinën komuniste në vitin 1971. Sot, megjithatë, Shqipëria dhe Tajvani janë afruar si rezultat i përpjekjeve të qeverive përkatëse në frymën e miqësisë së ndërsjellë, tha ai.
Ndërkaq Inj ka qenë në takimin që Kryeministri shqiptar Sali Berisha organizoi më 7 shkurt me një grup të rinjsh nga vende të ndryshme të botës, anëtarë të Bashkimit Ndërkombëtar të Forumeve Rinore të Qendrës së Djathtë (IYDU).
Sipas zyrtarit të Tajpehut dhe zyrës së shtypit të qeverisë shqiptare, përfaqësuesi i IYDU-së nga Tajvani e pyeti Berishën se cilat janë marrëdhëniet që ka kreu i qeverisë së Tiranës me Facebook-un. Inj Vej tha se ishte shumë i befasuar teksa pa në mëngjes se llogaria e Berishës në FB ka më shumë se 10 për qind të gjithë popullsisë shqiptare që e ndjek.





