SHBA, 19 shkurt 2013– Kongresi amerikan ka filluar debatin për projekt-ligjin për liberalizimin e vizave me disa shtete, kryesisht europiane dhe aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për momentin, Shqipëria nuk është shtet kandidat, të cilës mund t’i hiqen vizat për qytetarët e saj, që të udhëtojnë më lehtë në SHBA. Gjithashtu edhe shteti ynë fqinj, Maqedonia.  

Siç njofton “Zhurnal” në Maqedoni, kushti kryesor që kërkohet nga SHBA-të është që përqindja e përgjigjeve negative ndaj aplikacioneve për viza nga qytetarët e Maqedonisë mos të jetë më e madhe se 3 %. Aktualisht, shifra e qytetarëve të Maqedonisë, të cilëve iu kthehet negativisht kërkesa për të udhëtuar në SHBA është 20 %.

Nga vendet e rajonit Greqia është e fundit që ka fituar liberalizimin e vizave për në SHBA në vitin 2010, kurse janë kandidatë aktualë për liberalizim edhe Polonia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Qipro dhe Turqia. 

Nga shtetet tjera në botë në këtë program janë futur edhe Australia, Japonia, Korea e Jugut dhe Tajvani. Në mes të shteteve kandidate janë edhe: Izraeli, Brazili, Argjentina, Kili, Paraguaji dhe Uruguaji, kurse për Kanadanë funksionon regjimi special pa viza.