Nga Dr. Bledar Kurti
(Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit)

Rendi ndërkombëtar po bëhet gjithnjë e më i polarizuar, me konfliktet fetare, etnike dhe gjeopolitike të cilat po rishfaqen me intensitet, kësisoj çdo nismë serioze për paqe kërkon jo vetëm fuqi politike, por edhe autoritet moral.

Sot, nuk flitet shumë, por persekutimi fetar është më i përhapur gjeografikisht dhe më i maskuar se kurrë më parë. Persekutimi fetar sot është më i sofistikuar dhe më i vështirë për t’u identifikuar. Dhe pikërisht për këtë arsye, ai është më i rrezikshëm për shoqëritë që mendojnë se e kanë kapërcyer këtë problem.

Në këtë kontekst, ideja e Bordit të Paqes e ideuar dhe drejtuar nga Presidenti Donald Trump krijon hapësirë për përfshirjen e vendeve që, ndonëse të vogla në përmasa gjeografike, kanë një trashëgimi të madhe në ndërtimin e paqes. Shqipëria është një prej tyre. Madje jemi një vend që paqen dhe tolerancën e ka në ADN-në e vet.

Shqipëria përfaqëson një rast të rrallë në Evropë: një shoqëri ku bashkëjetesa fetare nuk është thjesht slogan politik e shoqëror por realitet historik. Të krishterë, myslimanë, bektashi, katolikë, ortodoksë, protestantë, kanë kontribuar njëzëri në pavarësinë dhe shtetformimin tonë e kanë ndarë të njëjtën hapësirë shoqërore për shekuj, pa konflikte fetare dhe pa përplasje identitare. Kjo traditë e tolerancës ka mbijetuar perandori, luftëra dhe ideologji ekstreme, duke dëshmuar se harmonia ndërfetare është e mundur kur mbështetet mbi respektin dhe kulturën e dialogut.

Kontributi më domethënës i Shqipërisë në diskursin global të paqes mbetet shembulli i saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, Shqipëria ishte i vetmi vend në kontinent ku numri i hebrenjve u rrit gjatë Holokaustit. Rreth 2,000 hebrenj u strehuan dhe u mbrojtën nga familje shqiptare, myslimane dhe të krishtera, të cilat rrezikuan jetën e tyre për t’i shpëtuar nga deportimi nazist.

Ky akt kolektiv humanizmi u udhëhoq nga parimi i lashtë shqiptar i Besës, fjala e dhënë, nderi dhe detyrimi moral për të mbrojtur tjetrin, pavarësisht përkatësisë fetare apo etnike. Pikërisht për këtë arsye, dhjetëra shqiptarë janë nderuar nga Yad Vashem si Righteous Among the Nations (Të drejtët ndër kombe). Ky nuk është thjesht një kapitull historie, por një dëshmi se vlerat morale mund të mposhtin frikën, urrejtjen dhe dhunën.

Në një Board of Peace, (Bordi i Paqes) Shqipëria ka shumë për të dhënë e kontribuar, por mbi të gjitha me diçka tejet thelbësore dhe unike: një model të provuar të paqes shoqërore dhe humanizmit praktik.

Përvoja shqiptare ofron mësime konkrete për dialogun ndërfetar, mbrojtjen e pakicave dhe ndërtimin e besimit në shoqëri të ndara nga konfliktet.

Nëse paqja globale kërkon shembuj realë, të provuar dhe të prekshëm, atëherë Shqipëria ka çfarë të ofrojë. Historia e saj unike tregon se edhe kombet e vogla mund të luajnë rol të madh kur udhëhiqen nga parime të mëdha. Pikërisht ky është kontributi që Shqipëria mund dhe duhet të sjellë në çdo nismë serioze për paqen botërore. Për këtë arsye anëtarësimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes është një moment historik e i merituar për vendin tonë por edhe një vlerë e jashtëzakoshme për vetë këtë bord paqeje të paprecedentë i cili do rezultojë në një paqe të qendrueshme në Lindjen e Mesme duke forcuar sigurinë dhe stabilitetin global.