Mosdekretimi i shkarkimit të ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe mosdekretimi pasuesit të tij, Genti Caka nga kreu i shtetit, ka krijuar ngërçin e parë në diplomacinë shqiptare.
Në axhendën zyrtare të përfaqësueses së lartë për politikën e jashtme të BE, Frederica Mogherini, është planifikuar një takim me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, pasditen e 10 Janarit. Por burime zytare në Ministrinë e Jashtme nuk e konfirmojnë praninë e ministrit të enjten në takimin e planifikuar në Bruksel.
Ministria nuk jep sqarime mbi arsyet, por mësohet se ato lidhen me largimin e Bushatit nga posti. Presidenti nuk e ka firmosur dekretin për shkarkimin e tij dhe ka sqaruar publikisht se mosdekretimi lidhet me rëndësinë që ka posti i ministrit të Jashtëm.
Sipas tij, vendi nuk mund të mbetet për asnjë sekondë pa drejtuesin e këtij dikasteri që përfaqëson Shqipërinë në disa iniciativa shumë të rëndësishme.





