Problemet e shkaktuara nga kompania e fluturimeve Lux Air dhe fakti që Kombëtarja mbeti e bllokuar në Vjenë, ndërsa duhet të ishte akomoduar në Luksemburg City, bëri që Shqipëria të shënojnë edhe një rast unik në botë. Dy seanca përgatitore për përfaqësuesen, përpara miqësores së të martës, por me një veçanti të pabesueshme: dy stërvitje në ditë, në dy shtete të ndryshme. 

Nga seanca e parë e zhvilluar me intensitet të plot në orën 10:00 të paradites në Austri, për të vijuar me seancën e dytë gjatë mbrëmjes në Luksemburg, në stadiumin ku do të luhet ndeshja miqësore. Udhëtimi i Shqipërisë nga Vjena drejt kryeqytetit të Luksemburgut u zhvillua pas dreke me charter, ndërsa skuadra u akomodua në Parc-Hotel Alvisse. Pranë rezidencës me katër kate ndodhet një park i qetë, ajo është dhjetë minuta larg aeroportit, ndërsa për të arritur në qendrën e qytetit nevojiten vetëm 5 minuta. Hoteli i rinovuar së fundmi me kapacitet 320 dhoma, garanton edhe një larmi sallash për konferencat, nga më të mëdhatë deri tek ato më të voglat, ku trajneri De Biasi do të zhvillojë analizën teknike me skuadrën.