Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zbresë sot në fushë për një nga ndeshjet më të rëndësishme të saj, teksa përballet me Poloninë në fazën “play-off” të Kupës së Botës 2026.
Takimi do të luhet në orën 20:45 në stadiumin “PGE Narodowy” në Varshavë, ku kuqezinjtë synojnë një rezultat pozitiv për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit. Ndeshja do të drejtohet nga arbitri anglez, Anthony Taylor.
Në total, Shqipëria dhe Polonia janë përballur 15 herë mes tyre, me bilancin që favorizon polakët: 10 fitore për Poloninë, 3 barazime dhe 2 fitore për Shqipërinë.
Ky historik dëshmon vështirësinë e sfidës, por nuk përjashton surpriza në përballjet e ardhshme.
Ndeshja e parë mes dy skuadrave daton në vitin 1949, ku Polonia fitoi 2-1 në një takim miqësor.
Shqipëria regjistroi fitoren e saj të parë në vitin 1953, duke triumfuar 2-0 në shtëpi me gola të Loro Boriçit dhe Refik Resmjes.
Në dekadat në vijim, Polonia ka dominuar kryesisht përballjet, sidomos në ndeshjet kualifikuese për kompeticionet madhore. Megjithatë, kujtimi më i fundit është pozitiv për kuqezinjtë. Shqipëria fitoi 2-0 ndaj Polonisë më 10 shtator 2023 në Tiranë, në kuadër të kualifikueseve të EURO 2024, me gola të Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut.
Ky sukses ka rritur ndjeshëm besimin në skuadër dhe ka ndryshuar perceptimin për diferencat mes dy ekipeve, duke shtuar optimizmin në prag të sfidës së sotme.
Polonia konsiderohet favorite për shkak të faktorit fushë, por Shqipëria synon të përsërisë paraqitjen pozitive të viteve të fundit dhe të përmbysë historikun mes dy skuadrave.
Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit njofton se të gjitha biletat e vëna në dispozicion për tifozët shqiptarë për këtë ndeshje janë shitur. FSHF falënderon tifozët për mbështetjen dhe i fton të respektojnë udhëzimet e përcaktuara nga organizatorët.
Ndeshja e sotme konsiderohet një test kyç për ambiciet e Shqipërisë në rrugën drejt Botërorit 2026, ndërsa kuqezinjtë do të kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv për të vijuar ëndrrën e madhe të kualifikimit.





