Shqipëria po konsiderohet si një nga destinacionet më të nxehta turistike në botë për vitin 2026.

Sipas një analize të publikuar nga KIWI.com, vendi ynë renditet mes 5 destinacioneve që pritet të dominojnë industrinë globale të udhëtimeve në vitet e ardhshme, së bashku me Mongolinë, Slloveninë, Kirgistanin dhe Uzbekistanin.

Ky interes në rritje lidhet me kërkesën për destinacione autentike, larg turmave dhe me natyrë të paprekur.

Shifrat konfirmojnë këtë trend. Në vitin 2025, Shqipëria priti rreth 12.47 milionë turistë të huaj, duke shënuar një rritje të qëndrueshme krahasuar me vitet e mëparshme.

Një rol kyç në këtë transformim po luajnë investimet në infrastrukturë dhe akses. Hapja e Tunelit të Llogorasë ka reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt Rivierës, duke e bërë zonën më të aksesueshme për turistët.

Ndërkohë, zgjerimi i rrugëve, zhvillimi i porteve dhe rritja e fluturimeve direkte po përmirësojnë ndjeshëm lidhjet me tregjet ndërkombëtare.

Vendi po fiton gjithnjë e më shumë njohje edhe në mediat globale, duke u renditur në listat e destinacioneve më të rekomanduara për t’u vizituar.

Po ashtu, investimet private janë në rritje, me hyrjen e markave të mëdha hoteliere ndërkombëtare dhe projekte luksoze që po ndryshojnë ofertën turistike.

Shqipëria ofron një kombinim unik të detit, maleve dhe trashëgimisë kulturore, nga Riviera me ujëra të kristalta, te Alpet dhe qytetet historike si Berati dhe Gjirokastra.

Edhe turizmi gjatë gjithë vitit po merr hov, me një rritje të vizitorëve jashtë sezonit veror.

Ekspertët theksojnë se Shqipëria është në prag të një “shpërthimi” turistik, duke u kthyer në një nga destinacionet më premtuese në botë.