Një kroçierë e re, me 450 turistë në bord nga 22 vende të botës preku për herë të parë portin e Durrësit.

Kroçiera luksoze “Seabourn Quest” u ankorua mëngjesin e sotëm në kalatën nr.5 dhe autobusë të shumtë prisnin turistët e huaj për t’i dërguar drejt siteve të trashëgimisë kulturore të Apolonisë, Krujës, Tiranës apo Durrësit.

Shumë prej tyre kishin njohuri të pakta për vendin e shqiponjave, por ndiheshin entuziastë që më në fund mund ta vizitonin atë.

“Ju keni trashëgimi kulturore të periudhës romake që mezi po pres t’i shoh. Besoj se do të kalojmë shumë mirë këtu në Shqipëri”.

“Vij nga shteti i Floridës. Kam lexuar shumë për Shqipërinë, por nuk e kam vizituar asnjëherë. Di që ka qenë vend komunist, prej 30 vitesh jeni në demokraci dhe keni disa zyrtarë të akuzuar për korrupsion. Mendoj se jeni një vend në zhvillim”.

“Jemi të entuziasmuar që ndodhemi këtu. Vijmë nga SHBA dhe jemi të interesuar të njohim kulturën tuaj. Kam studiuar latinisht në shkollë dhe dua të shoh rrënojat antike, të mësoj më shumë për to”.

“Nuk di thuajse asgjë për Shqipërinë dhe mezi po pres të mësoj më shumë për vendin tuaj”.

Një nga arsyet se pse të huajt po shfaqin kaq shumë interes për të vizituar Shqipërinë është misteri që ende mbart vendi ynë.

“Kanë dëgjuar jashtëzakonisht për Shqipërinë. Le të themi që është një sekret i fundit në Evropë për ta, prandaj kjo është një nga arsyet pse e vizitojnë”,- tha Arjana Hysa, administratore e një agjencie turistike.

Për kapitenin e kroçierës, ky do të jetë vetëm udhëtimi i parë që mjetet luksoze lundruese do të bëjnë në vendin tonë.

“Kam kaluar kaq herë pranë Shqipërisë për të shkuar në Greqi dhe Kroaci dhe gjithnjë mendoja kur do ta vija në vendin tuaj. Sot ndihem shumë i lumtur që jam këtu. Ju garantoj që vitet e ardhshme, krocierat e kompanisë sonë do të bëjnë më shumë udhëtime në Shqipëri”,- thotë kapiteni Alex Golubev.

Vit pa viti, Durrësi ka regjistruar shifra rekord turistësh dhe pritshmëritë janë shumë të larta edhe për këtë vit. Ndërsa qyteti bregdetar po orientohet drejt turizmit elitar, kryebashkiakja Emiriana Sako vlerëson maksimalisht investimet e bëra nga sektori privat.

“Durrësi është qyteti që pret më shumë vizitorë në të gjithë Shqipërinë. Patjetër që ne do të kërkojmë turizmin elitar pork jo vjen me një punë afatgjatë, me investime që bëjnë institucionet publike, shoqëruar edhe me investimet e sektorit privat, të cilat për hir të së vërtetës kanë qenë të një cilësie shumë të mirë gjatë viteve të fundit”.

Mbrëmjen e kësaj të marte, kroçiera “Seabourn Quest” do të largohet nga porti i Durrësit për të vijuar drejt destinacionit të radhës, portit në Liparit, në Itali.

M.B.