21 qershor 2015 – Çdo person që është mbi moshën 18 vjeç, mund t’i drejtohet sot kutisë së votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë dhe këshillin bashkiak. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara vendore, gara këtë herë do të zhvillohet në 61 bashki, kjo pas ndarjes së re territoriale që reduktoi ndjeshëm njësitë vendore.
Qytetarët mund t’u drejtohen qendrave të votimit nga ora 07:00 e mëngjesit kur shënohet hapja e tyre, deri në orën 19:00. Vendimi final i qytetarëve vjen pas një fushate intensive të partive politike që janë pjesë e garës.
Si të votojmë, dokumentet që duhen
Kodi Zgjedhor përcakton saktësisht dokumentet që duhet të ketë me vete çdo qytetar që i drejtohet qendrës së votimit për të votuar.
Sipas këtyre përcaktimeve, pasi zgjedhësit hyjnë në qendrën e votimit, duhet të paraqesin para komisionerëve letërnjoftim ose pasaportë. Një prej anëtarëve, i caktuar me vendim të KQV-së, kontrollon zgjedhësit në të dy duart, nëse ka shenjën e zezë në gishtin e madh ose jo, me lëndën e posaçme.
Ndërsa kryetari verifikon të dhënat në listën e zgjedhësve, ku shënon dhe emrin e dokumentit të identitetit. Pas nënshkrimit të votuesit krah emrit të tij, njëri nga anëtarët e pajis atë me dy fletë votimi, njëra për kryetarin e bashkisë dhe tjetra për këshillin bashkiak. Zgjedhësi i drejtohet më pas dhomës së fshehtë, ku shpreh vullnetin e tij nëpërmjet votës dhe më pas fletët e votimit, të palosura në mënyrë që të fshehë votën, i hedh në kutitë përkatëse të votimit.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





