Akademiku Artan Fuga, përmes një postimi në rrjetet sociale ka shprehur 11 kërkesa për Samitin e BE që do të mbahet në Tiranë ditën e hënë.
Ai u shpreh se Shqipëria duke mbajtur fort rrugën për integrim evropian, pa hezitime dhe lojëra, duhet të rinegociojë disa parametra të procesit të integrimit.
Fuga shtoi se Shqipëria duhet të përmirësohet, por edhe të kërkojë të riparohen disa gjëra që na pengojnë, ndër të cilat listoi kuotat e punësimit disavjeçar për shqiptarët në BE, kuota për prodhime shqiptare cilësore në të gjithë tregjet evropiane, por edhe të drejtën për qëndrim gjashtë-mujore pa viza në BE.
Postimi i plotë:
Njëmbëdhjetë kërkesa për Samitin e BE të mirëseardhur në Shqipëri!
Përpara Samitit evropian, unë e marr përgjegjësinë e plotë për të thënë se Shqipëria duke mbajtur fort rrugën për integrim evropian, pa hezitime dhe lojra, duhet të rinegociojë disa parametra të procesit të integrimit.
Nuk mund të jenë vetëm parimore, vetëm dogmatike, vetëm të njëanshme, dhe të paluejtëshme sikurse mendoheshin tridhjet vjet më parë.
Shqipëria duhet të përmirësohet, por edhe të kërkojë të riparohen disa gjëra që na pengojnë:
1. – Kuota punësimi disavjeçare për puntorë shqiptarë në vendet evropiane
2. – Kuota për prodhime shqiptare cilësore në të gjithë tregjet evropiane
3. – Këmbim i monedhës shqiptare, lekut, me evron, në pikat e shkëmbimit të parasë në vendet evropiane
4. – Krijimi i zonave të lira ekonomike në Shqipëri me shkëmbim politikash evropiane për investime strukturore në Shqipëri
5. – Financimi i disa produkteve bujqësore sipas standardeve të mbështetjes të bujqësisë evropiane
6. – Cdëmtimi financiar i BE për Shqipërinë për çdo person me shkollë të lartë që punësohet në një vend evropian. Pra shlyerja nga ato shtete të shpenzimeve të shkollës së lartë.
7. – Krijimi i një banke strategjike Shqipëri – BE për depozita për emigrantët shqiptarë në vendet e BE
8. – Njohje e viteve të punës në Shqipëri për cdo emigrant që përfiton pension në një nga vendet e BE.
9. – Njohja e gjuhës shqipe si gjuhë e huaj fakultative së paku në dhjetë universitete evropiane
10. – Një qendër kulturore evropiane në Tiranë me buxhete të BE
11. – E drejtë qendrimi jo tre, por gjashtëmujore pa vizë në hapësirën e BE për qytetarin shqiptar!