Shqipëria U-19 triumfoi me rezultatin 4-0 ndaj Lihtenshtejnit, në miqësoren e parë të planifikuar gjatë këtij muaji.
Kuqezinjtë realizuan një ndeshje mjaft të mirë, duke krijuar raste dhe duke dominuar takimin në 90 minuta.
Shqipëria kaloi në avantazh në minutën e 19-të me Tedi Malaj, ndërsa në minutën e 45-të, Denis Prendi dyfishoi rezultatin e takimit.
Me nisjen e fraksionit të dytë, në minutën e 50-të, Tedi Malaj realizoi edhe golin e tretë për kuqezinjtë ndërsa një minutë më vonë, Ron Hasani vulosi fitoren për Shqipërinë, duke i çuar shifrat në 4-0.
Gjatë ndeshjes, trajneri Ahmataj bëri disa zëvendësime, duke u dhënë mundësi lojtarëve të tjerë të luajnë në këtë miqësore.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj zbriti në fushë me këtë formacion: Amarildo Dervishaj (GK), Fabjan Perndreca, Denis Prendi, Adi Kurti (c), Ergi Bastari, Matia Huqi, Ergis Arifi, Frederik Tosku, Dejvi Duro, Tedi Malaj, Ron Hasani.
Kombëtarja U-19 do të luajë edhe një ndeshje tjetër miqësore më 11 gusht, në ora 10:00 në ‘Shtëpinë e Futbollit’ po ndaj Lihtenshtejnit.