3 shkurt 2015 – Në kohën e Kryeministrit Berisha, Shqipëria bëri një gjest tipik proamerikan duke pranuar ardhjen në Shqipëri të qindra muxhahedinë iranianë të strehuar në kampin “Liria” në Irak, të cilëve u rrezikohej jeta nga ekstremizmi shiit i qeverisë së Kryeministrit Al-Maliki. Amerikanët kishin një borxh nderi ndaj këtyre muxhahedinëve armiq të betuar të ajatollahëve iranianë dhe ua shpërblyen duke u gjetur strehim të sigurtë në Shqipëri.
Ardhja dhe qëndrimi i këtyre muxhahedinëve në Tiranë nuk përbën më lajm, përveçse kur muxhahedini i radhës përcillet për në varrezat e Sharrës. Deri tani nga sëmundjet e rënda apo nga plagët e marra nga bombardimet e Kampit Liria në Irak, kanë vdekur tri femra muxhahedine.
Mediat pranë kauzës së muxhahedinëve lajmëruan këtë të hënë më 2 shkurt 2015, që një tjetër muxhahedin ndërroi jetë në Spitalin e Tiranës. I ndjeri është Asghar Sharifi, që ndërroi jetë më 30 janar 2015 për shkak të plagëve të marra gjatë një sulmi me raketa kundër Kampit Liria më 15 qershor 2015.
Sharifi ka 45 vjet aktivitet politik në rradhët e muxhahedinëve, që kur ishte student për inxhinjeri nafte në Teheran. Ai si i burgosur politik provoi me rradhë birucat e torturave të SAVAK-ut, policisë sekrete të Shahut Pahlevi, më pas u arrestua edhe nga milicia Basij e mullahëve, që sundojnë Iranin, e në fund fare provoi edhe torturat e milicisë Shiite irakene dhe bombardimet e tyre kundra Kampit Liria jo larg Bagdatit.
Për fat të keq, me kalimin e kohës prania e muxhahedinëve iranianë në Tiranë po kthehet gradualisht në problem për qeverinë tonë dhe jo thjesht një shkëmbim favoresh me administratën amerikane.
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





