TIRANE, 10 maj 2013– Vazhdon ngjitja si me “ashensor” e kombëtares shqiptare të futbollit në renditjen mujore të FIFA-s. Nëse për prillin vendosëm një rekord historik, duke ngjitur 16 vende njëherësh dhe pozicionuar të 48-t në botë, për majin kemi superuar edhe 5 vende të tjera. Një sukses i padiskutueshëm, sepse në vendin e 43-të Shqipëria nuk ka qenë kurrë në historinë e vet, ashtu sikurse nuk kishte qenë as në pozicionin e muajit të kaluar. Sipas përllogaritjes specifike të FIFA-s, kuqezinjtë tanë vlerësohen me 640 pikë, që “përkthehet” ndryshe me vendin e 43-të për muajin maj. Sa u përket rivalëve tanë në grupin kualifikues të “Botërorit 2016”, më lart qëndron Zvicra, në vendin e 14-të, me ngjitje një shkallë më tepër në krahasim me muajin paraardhës, ndërsa në vendin e 31-të është Norvegjia, që ka zbritur një pozicion krahasuar me prillin. Shqipëria lë pas Slloveninë në këtë renditje të FIFA-s, në vendin e 55-të, Islandën, në vendin e 73-të, dhe Qipron në vendin e 123-të.
Të tria këto kombëtare kanë qëndruar në vend-numëro, pa lëvizur asnjë pozicion në renditjet mujore të prilit dhe majit 2013. Sikurse thamë edhe më sipër, në fakt kombëtarja shqiptare e futbollit kishte bërë një kapërcim rekord historik në renditjen e FIFA-s që në prill, duke ngjitur plot 16 shkallë. Vendi i 48-të ishte edhe arritja më e madhe e kuqezinjve tanë në këtë drejtim për momentin, por tashmë jemi edhe më lart. Për rekordin historik të prillit ndikuan dy fitoret radhazi, 1-0 të kualifikueses me Norvegjinë në Oslo dhe 4-1 të miqësores me Lituaninë në Tiranë. Një arritje mbresëlënëse, që gëzoi tërë shqiptarët, por në maj, kur sheh që jemi në vendin e 43-të, kënaqësisë i shtohet edhe njëfarë krenarie dhe motivimi për eliminatoren e radhës, më 7 qershor në “Qemal Stafa”, ndaj Norvegjisë, e cila do të jetë një ndeshje delikate dhe përcaktuese për fatet tona kualifikuese në grup. Meritat i shkojnë pa diskutim trajnerit De Biazi, nën drejtimin e të cilit kombëtarja jonë renditet në vendin e dytë të Grupit E kualifikues për momentin, pas Zvicrës, teksa ka luajtur 5 ndeshje eliminatore dhe i kanë mbetur edhe pesë të tilla deri në fund, me shpresën se ëndrra e madhe, shkuarja në finalet e Botërorit 2014, mund të bëhet realitet.
Rekordi i renditjes para dy pozicioneve më të larta të dy muajve të fundit ishte vendi i 50-të, i arritur në prill-maj 2011, në kohën kur drejtoheshim nga Josip Kuzhe. Kombëtarja pati fituar një superndeshje (paçka se jo me shumë gola) ndaj Bjellorusisë, çka i dha shumë pikë. Më pas, kombëtarja kuqezi njohu vetëm ulje, aq sa në tetor, nëntor, dhjetor 2012, shkuam në vend të 84-t. Nga ky moment nisi ngritja, me arritjen deri në rekordin aktual, vendin e 43-të për muajin maj 2013.
Ndërkohë, dhjetëshja e parë e kësaj renditjeje përbëhet nga emra të mëdhenj të futbollit, me Spanjën në vend të parë, të ndjekur nga Gjermania dhe Argjentina. Më tej, renditja vazhdon me Kroacinë, Portugalinë, Kolumbinë, Anglinë, Italinë, Holandën dhe Ekuadorin.
/Panorama/





