Kreu i SPAK, Altin Dumani ka deklaruar sot se në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024, Shqipëria është vlerësuar me 42 pikë. Gjatë raportimit të tij në Kuvend, Dumani u shpreh se ky rezultat ka përmirësuar indeksin e perceptimit të korrupsionit me 5 pikë, në raport me një vit më parë.
Kreu i SPAK, Altin Dumani tha se SPAK i ka kushtuar një rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar. Sipas tij, kjo ka bërë që të forcohet Sektori i Hetuesve Financiarë, nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve njerëzore në hetimet financiare dhe pasurore.
“Në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024, Shqipëria vlerësohet me 42 pikë, duke e përmirësuar indeksin e perceptimit të korrupsionit me 5 pikë në raport me një vit më parë. Transparency International ka njohur rolin e SPAK në rritjen e besimit të publikut. SPAK i ka dhënë një rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar.
Në këtë kontekst, është forcuar Sektori i Hetuesve Financiarë nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve njerëzore kryesisht në hetimet financiare dhe pasurore me veprime komplekse brenda dhe jashtë vendit ku përfshihen edhe veprimet me kriptovaluta. Gjatë vitit 2024, me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë është finalizuar nxjerrja e një udhëzimi të përgjithshëm për masat administrative dhe procedurale për kryerjen e hetimit financiar dhe pasuror në SPAK”, tha Dumani.





