TIRANË, 4 qershor 2013 – Shqipëria nënshkruan Traktatin mbi Tregtinë e Armëve, njofton ministria e Jashtme .

Në datën 3 qershor 2013, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Traktatit mbi Tregtinë e Armëve (ATT).

Për Shqipërinë, Traktati u nënshkrua nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë pranë misionit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Ferit Hoxha.

Sipas këtij Traktati, secili shtet duhet të vlerësojë përpara çdo transaksioni, nëse armët që do të shesë, do të përdoren nga grupe terroriste për të anashkaluar një embargo ndërkombëtare, për të kryer akte gjenocidi, krime lufte ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Në të gjitha këto raste, vendi eksportues është i detyruar që të mos e autorizojë këtë transfertë.

Në këtë mënyrë, Shqipëria bëhet një ndër vendet e para që nënshkruan këtë traktat të rëndësishëm, thotë dikasteri i diplomacisë.

Shqipëria është akuzuar disa herë për tregti armësh me shtete që kanë qenë në konflikt, apo duke anashkaluar embargot ndërkombëtare. (Armeni-Azerbajxhan, Libi, Mali, Somali, Afganistan etj.)

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/