5 maj 2014 – E dielë shqiptarësh në Europë me këta të fundit që ishin protagonistë absolut në sukseset e skuadrave të tyre. Shkëlzen Gashi vazhdon të mahnisë në Superligën Zviceriane. Mesfushori i kombëtares kuqezi ishte thjesht fantastik në fitoren 5-0 të skuadrës së tij Grashoppers përballë Young Boys. 25-vjeçari arriti të shënonte plot 4 gola në atë sfidë duke ndihmuar Grashoppersin të ketë ende shanse për titullin kampion në Zvicër. Kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje nga fundi i sezonit skuadra e drejtuar nga Michael Schibe qëndron 4 pikë pas Baselit kryesues. Me këto katër finalizime Gashi u ngjit në kuotën e 17 golave këtë sezon duke marrë i vetëm edhe kryesimin e listës së golashënuesve në Superligën zviceriane.

Një gol me peshë shënoi edhe Alban Meha. Mesfushori i kombëtares kuqezi realizoi golin që kaloi në avantazh skuadrën e tij Paderborn në transfertën e Aue. Sfida e mbyll me fitoren 2-0 të Paderbornit që me këtë sukses hodhi një hap të rëndësishëm drejt ngjitjes në Bundesligën e parë sezonin e ardhshëm.

Po në kategorinë e dytë gjermane shënoi edhe Ilir Azemi. Sulmuesi kosovar sigloi një dygolësh në suksesin 6-0 të Greuth Furth ndaj Energie Cottbus.

Megjithatë, të dielën lavdi nuk kishte vetëm për futbollistët, por edhe për një prej trajnerëve shqiptarë në Europë. Anderlechti i Besnik Hasit mori në fitore shumë të rëndësishme në transfertë përballë Club Brugge duke barazuar këta të fundit në kuotë të barabartë pikësh në vendin e dytë të klasifikimit në kampionatin belg. Edhe pse luajti për më shumë se 50 minuta me 10 lojtarë, skuadra e Hasit ia doli mbanë të merrte tre pikët në fund pas një autogoli të lojtarit të Brugge Meunier në minutën 85-të. Një sukses shumë i rëndësishëm ky për Anderlechtin që kur kanë mbetur edhe tre ndeshje nga përfundimi i sezonit e sheh veten vetëm 1 pikë pas kryesuesve të Standart Liege.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/