Emigracioni po shihet si zgjidhja e vetme për mbijetesë e shumë familjeve shqiptare. Një kërkim i Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim ka gjetur së në motorin e kërkimit Google është kërkuar së paku 587 mijë herë “kritere për azil në Gjermani”.
Një treta e popullsisë është larguar nga vendi që kur sistemi komunist u rrëzua, por vala e fundit e emigracionit në vitet 2014-2015 ka përfshirë ikjen nga vendi të njësive familjare. Shumica kanë dhënë shkak gjendjen ekonomike, mungesën e perspektivës dhe mungesën e sigurisë.
Gjermania shihet të ketë qenë më e preferuara ndër vendet e BE-së.
Kërkesat për azil ekonomik në Gjermani janë nxitur nga lajmet se vendi europian ka nevojë për fuqi të re punëtore për shkak të plakjes. Kjo përshtypje u përforcua nga lajmet se autoritetet gjermane do të sigurojnë menjëherë ndaj emigrantëve strehim dhe punë. Lajme të tilla spekulative sidomos në rrjetet sociale nxitën këtë valë emigracioni.
Numri i kërkesave për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian shënoi një rritje të frikshme në vitin 2015. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në gati 66 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë.
Këtu janë të përfshirë vetëm individët që janë regjistruar si azilkërkues në vendet e BE-së, ndërsa numri total i të larguarve (jo vetëm në BE, por dhe në SHBA) është vështirë të matet, por gjithsesi ai është më i lartë se 66 mijë.
Në pjesën më të madhe janë të rinjtë ata që po ikin. Sipas të dhënave të detajuara të Eurostat, po për vitin 2014 (për 2015 nuk janë publikuar akoma), për Shqipërinë, grupmosha nga 18 deri në 34 vjeç përbënte gati 45% të totalit të azilkërkuesve për Shqipërinë. Shqipëria e ka shumë të lartë dhe përqindjen e fëmijëve që ikin me prindërit e tyre, teksa grupmosha 0-13 vjeç zinte 26% të totalit të azilkërkuesve.
Rritja e numrit të të ikurve në 2015-n pritet të japë ndikim të ndjeshëm në ekonomi duke u bërë jo vetëm një element për uljen e potencialit të rritjes ekonomike të vendit dhe konsumit, por dhe një mungesë direkte në ofertën e krahut të punës në Shqipëri. Bizneset, në fakt, kanë filluar të ndiejnë pasojat e largimit të fuqisë punëtore, që në një pjesë të konsiderueshme ka qenë e kualifikuar.
/Monitor/