Të sëmurët kronikë në vendin tonë dominohen nga dy grup diagnozash që kanë përgjegjëse stilin e jetesës.

Mungesa e aktivitetit fizik dhe kequshqyerja po përhapin diabetin dhe hipertensionin në masë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2020 gati gjysma e të sëmurëve kronike që trajtohen me rimbursim vuanin nga hipertensioni dhe diabeti.

Bazuar në sistemin e recetës elektronike me rimbursim në vitin 2020, 11,5% e pacientëve kronikë janë trajtuar për diabet Mellitus dhe 36,1% e pacientëve kronik për Hipertension Arterial.

Sipas qarqeve, Durrësi ka përqindjen më të lartë të pacientëve kronik të trajtuar për Diabet Mellitus me 14,5%, ndërsa për Hipertension Arterial përqindjen më të lartë e ka qarku Kukës me 48,4%.

Anketat e INSTAT dhe Institutit të Shëndetit kanë gjetur se përhapja në masë e diabetit dhe hipertensionit vijnë si pasojë e sjelljeve të konsideruara me risk për shëndetin si: konsumimi i alkoolit, pirja e duhanit dhe jeta sedentare. Stili i jetesës ka ndikim të rëndësishëm në rritjen e jetëgjatësisë nëpërmjet parandalimit të shumë sëmundjeve kronike si: hipertensioni, yndyrnat në gjak dhe obeziteti etj.

Sipas studimit të fundit Demografik dhe Shëndetësor (2017/18), 5,0% e grave dhe 36,0% e burrave të moshës 15-49 vjeç ishin duhanpirës. Të dhënat sipas qarqeve tregojnë se përqindja me e lartë e burrave 15-49 vjeç që pinë duhan është në qarkun Vlorë (44,9%) dhe përqindja më e ulët në qarkun Korçë (22,9%). Ndërkohë përqindja më e lartë e grave që pinë duhan është në qarkun e Tiranës (7,2%) dhe përqindja më e ulët në qarkun e Kukësit (0,2%)

Sipas të njëjtit studim, më shumë se 1 në 4 gra (28%) dhe 6 në 10 burra (60%) të moshës 15-49 vjeç kanë konsumuar alkool në 12 muajt e fundit. Përqindja më e lartë e burrave që konsumojnë alkool është në qarkun Fier (88,4%), Berat (87,1%) dhe Lezhë (67,3%) dhe përqindja më e ulët është në qarkun Dibër (28,2%) dhe Kukës (39,1%).

Përqindja e grave të moshës 15-49 vjeç që konsumojnë alkool është më e lartë në qarkun Berat (44,1%), Tiranë (40,7%) dhe Vlorë (36,8%). Ndërkohë përqindja më e ulët është në qarkun Kukës (4,0%), Dibër (5,0%) dhe Shkodër (7,4%).

Aktiviteti fizik është një tjetër faktor me rëndësi të veçantë në shëndetin e njeriut. Rreth 1 në 10 burra dhe gra të moshës 15-49 vjeç përfshihen në aktivitet të rregullt fizik (5-7 ditë në javë). Të dhënat për burrat tregojnë se qarqet me përqindje më të lartë që kryejnë aktivitet fizik janë Tiranë dhe Vlorë, përkatësisht 38,2% dhe 30,7%. Ndërkohë për gratë, qarqet me përqindjen më të lartë të këtij aktiviteti janë Tiranë dhe Elbasan, përkatësisht 28,1% dhe 24,7%./MONITOR