ITALI – Zbulohen detaje të reja mbi arratisjen nga burgu të dy shqiptarëve të dënuar, Valentin Frrokaj dhe Taulant Toma. Sipas mediave italiane, dy të burgosurit shqiptarë, pasi arritën të arratiseshin mëngjesin e së shtunës nga burgu i sigurisë së lartë në Parma, janë ndaluar të hanë mëngjes në një pikë karburanti në Cortile San Martino.

Punonjësit e pikës së karburatit i kanë treguar karabinierëve se i kanë parë dy të rinjtë të ulen në një nga tavolinat e lokalit, pas orës 6 të mëngjesit. Të dy kanë qenë me flokë shumë të shkurtër dhe me pamje mjaft të qetë. Pasi kanë porositur kapuçino dhe briosh, kanë paguar dhe janë larguar në këmbë deri tek pompat e karburantit. Më pas punonjësit e lokalit i kanë humbur nga sytë dhe mendojnë se ata mund të jenë larguar me makinë me ndonjë bashkëpunëtor të tyre.

Në atë orë të mëngjesit ata nuk e dinin se të rinjtë që kishin pranë ishin dy të arratisur nga burgu. Janë kujtuar për ta vetëm pasi kanë parë fotot në edicionet informative. Pavarësisht deklaratave të tyre karabinierët nuk janë të sigurt nëse bëhet fjalë vërtet për shqiptarët e arratisur nga burgu apo për të tjerë persona. Pamjet e kamerave të sigurisë do t’i ndihmonin shumë, por fatkeqësisht ato janë jashtë përdorimit prej javësh.

Dy shqiptarët Valentin Frrokaj, 35 vjeç dhe Taulant Toma, 29 vjeç pushtuan një ditë më parë edicionet informative dhe faqet e gazetave të vendit fqinjë pasi arritën të arratiseshin në mënyrë spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë. Frrokaj po vuante dënimin për vrasjen e një bashkëatdhetari të tij ndërkohë që Toma ishte mbiquajtur kohë më parë “mbreti i arratisjeve”, pasi kishte mundur të arratisjes edhe nga burgu i sigurisë së lartë në Terni.