3nëntor 2015 – Rëndohet pozicioni i dy shqiptarëve të mbijetuar në ngjarjen e rëndë të ndodhur dy net më parë në një lokal bastesh në Imperia të Italisë.
Vendi i ngjarjes
Më herët u zbulua identiteti i viktimës, Albert Jakupaj, 19 vjeç, i cili humbi jetën në kohën ku po vendoste lëndën djegëse në ambientet e lokalit. Dy të plagosurit janë të afërm mes tyre: Mrejetev Ismajluka, 29 vjeç dhe Aramit Ismajluka, 19 vjeç. Ky i fundit ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Ndërsa Mrejetev Ismajluka është marrë në pyetje sot nga dy avokatë.
Një prej tyre është avokati shqiptar nga Durrësi, Ramadan Tahiri, i cili ka zyrën e tij ligjore pikërisht në këtë qytet. Bashkë me kolegun e tij Giovani di Meo ata kanë marrë në pyetje Ismajlukën, por pa mundur të marrin deshmi mbi arsyet e këtij akti.
Dy avokatet para marrjes ne pyetje te Ismajlukes
Ai akuzohet se ka qenë pjesë e atentatit me lëndë plasëse, ndonëse sipas hetimeve të deritanishme po qëndronte në makinë, pranë vendngjarjes, në “Via del Collegio 2”, në Oneglia.
Për këtë rast po punojnë dy prokurorë. Ata po hetojnë për shkaqet që i shtynë tre shqiptarët të tentojnë shpërthimin e lokalit të basteve, në qytetin e Imperias, i njohur për qetësi. Sipas të dhënave deri tani dyshohet se ata mund të kenë një konflikt me pronarët e ambientit ose të jenë porositur nga përfaqësues të mafias që vepron aty. Shqiptarët dispononin një lavazho, por që autoritetet ua kishin mbyllur për shkak të probleme në dokumentacion.
Prokuroria italiane bën të ditur se, si shqiptarët, ashtu dhe italianët, pronarë të lokalit, ishin të përfshirë në disa vepra ilegale, që nga shpërndarja e narkotikëve apo shfrytëzimi i ambienteve për prostitucion.
/portali DurresLajm/