PRISHTINË – Shqiptarët e Luginës së Preshevës, në Serbi, kërkojnë të drejta si të serbëve në Kosovë. Në një protestë të mijëra shqiptarëve sot në Bujanoc u ritheksua se “Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë ka ftuar qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë ta zgjidhin çështjen e Luginës së Preshevës sipas parimit të reciprocitetit në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel". 

"Kërkojmë nga Serbia respektimin e Marrëveshjes së Konçulit, respektimin e konventave ndërkombëtare, realizimin e Planit të vitit 2001, integrimin në jetën publike dhe zhvillimin e premtuar ekonomik”, ishte një mesazh i protestës. 

Sipas njoftimeve nga Bujanoci, në protestën e organizuar nga të gjitha subjektet politike shqiptare në Luginë u kërkua kthimi i lapidarit me emrat e shqiptarëve të rënë në Preshevë, të hequr nga xhandarmëria serbe në janar. 

Ndër kërkesat ishte edhe heqja e një memoriali të xhandarmërisë serbe të ngritur në Lluçan, fshat i banuar me shumicë shqiptare. Protesta e sotme në Bujanoc e shqiptarëve të Luginës ishte e dyta në këtë vit, pas asaj në Preshevë kundër heqjes së lapidarit të shqiptarëve, e cila ndodhej para Kuvendit të Komunës. 

Në tre komunat e Luginës – Preshevë, Bujanoc dhe Medvegje, në jug të Serbisë, sipas përfaqësuesve të atjeshëm, numri i shqiptarëve është dyfish më i madh se i serbëve në veriun e Mitrovicës e të Kosovës.