Nga Ilir Yzeiri

Konfliktet e egra me frymëzim fetar si këto që po shtillen këto kohët e fundit, e bëjnë më të ngutshme nevojën e refleksionit sidomos për ne shqiptarët që kështu të ndarë siç jemi, ka rrezik të bëhemi shënjestër e frymëzimit radikal islamik. Këto kohë kam studiuar nga afër veprimtarinë e Hoxha Tahsinit, Jani Vretos, Kristoforidhit e Thimi Mitkos për nevojat e një cikli me dokumentarë që jam duke përgatitur me “DigitAlb” dhe kam vënë re se Hoxha Tahsini është jo vetëm një figurë e madhe e kulturës sonë, por ai është gjithashtu edhe një figurë moderne e mendimit islam dhe mbështjell në vetvete gjithçka kishte të ndritshme kultura moderne arabe e Avicenës dhe korifenjve të tjerë që i dhanë Europës përmes përkthimeve kulturën antike greke e romake. Hoxha Tahsini studioi në Sorbonë dhe e bëri kult dijen dhe shkencën. Studimet e tij për natyrën, për gjithësinë, për psikologjinë, astronominë, kohën janë të gjitha me një vështrim modern dhe të frymëzuara nga zhvillimi i shkencës në Europën e shekullit XIX. Janë të njohura tashmë përpjekjet e tij për ta bërë Stambollin si një kryeqytet europian të dijes dhe për këtë ai ishte nismëtari i çeljes së Universitetit të parë në Stamboll apo i revistës së parë shkencore si “Revue des deux mondes” që botohej në Paris. Mirëpo kjo aventurë e tij nuk vazhdoi gjatë, sepse kleri konservator dhe radikal e mbyti këtë iniciativë.

Ndërkaq, ai u tërhoq në medresenë e tij dhe aty, në një kat të saj, ai u bë nismëtari i punës për të krijuar alfabetin e shqipes. Gjatë periudhës së socializmit, me gjithë përzgjedhjen ideologjike që bënte ai sistem për të treguar se komunistët ishin trashëguesit e vlerave pozitive të së kaluarës, në të shumtën e rasteve nuk përmendej thelbi i meritës së madhe që patën këta rilindës të mëdhenj. Dhe kjo meritë e tyre e madhe, në disa raste, iu paraqitej si kufizim. Po cila ishte ajo? Projekti i tyre ishte europian, perëndimor jo lindor. Hoxha Tahsini ka meritën e parë se Shqipërinë e ardhshme e projektonte dhe e donte si Europa e zhvilluar dhe kristiane.

Jani Vreto një tjetër shqiptar i madh kujton se në medresenë e Hoxha Tahsinit u zhvilluan takimet për ndërtimin e alfabetit të shqipes, se ai ishte autoriteti kryesor në ato takime ku merrnin pjesë Samiu, Pashko Vasa, Jani Vreto e Kristoforidhi e shumë të tjerë. Dhe që në fillim, Hoxha Tahsini që e mori fjalën i pari, deklaroi se alfabeti i shqipes nuk do të mbështetej në alfabetin arab sepse shqiptarët janë popull europian. Është tjetër gjë pastaj ideja e tij për të ndërtuar një alfabet origjinal, por ajo që ka peshë në këtë pikë është vetëdija e këtij njeriu të madh që mbante veshjen e klerikut mysliman se shqiptarët përpara se të jenë myslimanë apo katolikë e ortodoksë, janë europianë. Krijimi i shoqërisë së Stambollit dhe shtrirja e saj në Bukuresht apo në Misir, botimi i teksteve të para dhe i abetareve të para gjithashtu, ishin rrjedhojë e kësaj nisme që frymëzohej në fillim nga njeriu më i ditur dhe shqiptari më i kualifikuar që ishte Hoxha Tahsini. Ajo që e bën dinjitoze veprën e këtyre europianëve të mëdhenj është vetëdija e tyre e qartë dhe identifikimi me vlerat reale pjesë e të cilave ishin shqiptarët.

Mirëpo nuk duhet të harrojmë edhe një gjë tjetër. Përfytyrojeni për një çast që këta shqiptarë të mëdhenj ishin përballë një sfide të jashtëzakonshme, sepse për herë të parë, pas disa shekujsh, ata po merrnin nismën që të mësonin një komb të tërë që të shkruante gjuhën e vet, por jo vetëm të shkruante, por edhe të mbushte kokën me dije. Ne sot shpesh trishtohemi kur ato që botojmë nuk lexohen apo sepse libri po mërgohet nga veprimtaria e shqiptarëve, ndërkaq përfytyroni një komb të tërë që është pa libra në gjuhën e vet që jeton si barbar apo në rastin më të mirë mëson të shkruajë e të lexojë ose në gjuhën osmane ose në atë greke. Dhe papritur ky fëmijë gjigant që ishte populli shqiptar, thirret të ulet në bankat e shkollës dhe të mësojë të shkruajë e të lexojë shqip. Nuk ishte thjesht të mësuarit për të lexuar e shkruar në gjuhën amë, siç thashë më lart, më shumë se kaq, do të bëhej modelimi i vetëdijes dhe i mendjes së një kombi të tërë, sepse gjuha e shkruar është bartësja e memories historike. Ne sot habitemi përse kemi kaq defekte në ligjërim e në kulturë gjithashtu dhe harrojmë se vijmë nga një traditë kulturore që mbështetej e gjitha në transmetimin gojor, pra në kulturën e bisedës apo të Kuvendit të burrave. Nëse fjala ishte ajo që ndërtoi botën, shkrimi i fjalës dhe vendosja e saj në shtratin e gjuhës së shkruar e ruajti atë dhe e bëri njeriun që sa herë që i duhet të marrë një vendim, ta ballafaqojë atë me historinë, me të shkuarën.

Njerëzit, në ndryshim nga kafshët, kanë memorien dhe ajo ushqehet e mbahet gjallë nga shkrimi. Dhe këta shqiptarë të mëdhenj që ndërtuan me anë të alfabetit memorien kulturore, megjithëse jetonin në zemër të Perandorisë më të madhe të kohës, por edhe më regresivja gjithashtu, patën idenë e qartë që ta ndërtonin kombin e tyre me modelin europian dhe t’i paraqitnin atij para syve modelin e një trashëgimie progresive që mbështetej te kulti i dijes te besimi jo radikal te solidaritetit dhe harmonia fetare. Është mjaft interesante të vështrohet sot se si për të ndërtuar alfabetin e shqipes bashkëpunuan Hoxha Tahsini një mysliman i ditur, Pashko Vasa katolik, Kristoforidhi e Jani Vreto ortodoksë. Debati për alfabetin ishte ngritur mbi një princip; shqipja do të mbështetej ose në alfabetin helen ose në atë latin ose të krijonte një alfabet origjinal me shkronja të veçanta për tingujt e veçantë që ajo ka. Pas kësaj u hartuan abetaret e para dhe tekstet e para që të mësonin fëmijët në shkollat që do të duhej të çeleshin sa më parë. Ajo që bie në sy është një fakt tjetër. Abetarja e Veqilharxhit që është i pari tekst i mësimit të shqipes, ajo e Kristoforidhit, por edhe tekstet ilustruese për të nxënë germat e alfabetit i kishin nga Dhiata e Vjetër ose tekste laike ai ato të Naim Frashërit. Kjo më kujton një vëzhgim të Kadaresë kur flet për fillimin e shkrimit të shqipes.

Në diskutimin e tij në Universitetin e Palermos, duke folur për këtë argument, ai thotë se shqipja i ka fillimet në trupin e një gjuhe të vdekur si latinishtja dhe ditëlindja e saj shënjohet me formulën e pagëzimit. Ajo, vijon shkrimtari i madh, duket se u fut në trupin e një gjuhe të vdekur si në një frigorifer gjigant për t’u ruajtur e për t’u nxjerrë që andej pak vite më vonë. Unë do të shtoja se edhe abetarja e parë shqiptare u ngjiz dhe u mësua përmes rrëfimeve nga Dhiata e Vjetër si për të plotësuar kohën e humbur në ligjërimin e mbyllur gojor dhe për të kompensuar ndalimin e shfaqjes për shekuj të tërë. Ndaj edhe sot sa herë që nisin debatet për identitetin tonë historik e kulturor ne kemi më shumë se një shembull për të treguar se kemi filozofë, dijetarë dhe patriotë të mëdhenj që jo vetëm kanë shkëlqyer në kohën e tyre, por kanë çelur rrugën të parët në lartësimin e dijes edhe në vendet ku errësira e radikalizmit fetar bëhet shtysë për një ndarje të re të botës.

Për fat të keq, ne shqiptarët, në shumë raste sillemi si otomanët e shekullit të kaluar sepse nuk dimë dhe nuk mundemi që ta gjallërojmë ligjërimin tonë publik me tekstet e kësaj historie të ndritur. Ne e kemi mbytur ligjërimin publik me retorikën e pështirë të luftës pa princip dhe sillemi si shqiptarët e hershëm që kishin pasion emigracionin dhe mercenarizmin. Institucionet tona akademike apo shkolla nuk janë ato institucione që përfytyronin Hoxha Tahsini dhe shqiptarët e tjerë të mëdhenj të Stambollit, por janë produkt i shqiptarëve të sotëm anadollakë që kanë bjerrë dijen e janë vënë në garë kush ta vjedhë e kush ta shkatërrojë më shumë këtë vend që ata e quanin kërthizë e Europës.

Marrë nga gazeta "Shqip"