Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani po merr pjesë në takimin e 30-të të Këshillit Ministror të OSBE-së, që mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut sot dhe nesër. Pak pas mbërritjes në Shkup, ministri Hasani është takuar me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Cameron.
“Kënaqësi të nisja angazhimin në Këshillin Ministror të OSBE në Maqedoninë e Veriut, me takim me Sekretarin e Jashtëm David Cameron. Diskutuam planet për avancimin e agjendës sonë dypalëshe dhe bashkëpunimin tonë të shkëlqyer për çështje shumëpalëshe”, nëvizoi Minstri Hasani në platformën X.
Konflikti Rusi-Ukrainë, dialogu Kosovë-Serbi, stabiliteti i paqes në rajon, ndryshimet klimatike, rinia dhe shoqëria civile do të jenë temat kryesore për të cilat do të diskutohet në takimin e Shkupit. Maqedonia e Veriut mori kryesimin e OSBE-së në janar të vitit 2023, për t’ia kaluar atë Maltës për vitin 2024.