LONDER – Kontrabandistët dhe trafikuesit shqiptarë i kanë braktisur metodat e vjetra të trafikimit të qenieve njerëzore për në Angli dhe kanë gjetur një formë tjetër shumë më të lehtë.
Sipas raporteve nga policia kufitare franceze dhe ajo britanike, të cilave iu referohet gazeta Daily Mail, grupet shqiptare kanë nisur të paguajnë pronarë jahtesh luksoze për të sjellë emigrantë të paligjshëm në Angli.
Policia kufitare britanike pranoi se kontrabandistët shqiptarë paguajnë pronarët e jahteve luksoze për të trafikuar njerëz në Britani, për shkak se këto mjete kontrollohen shumë pak nga organet detare.
Emigrantët ilegalë shqiptarë tradicionalisht kanë përdorur trenin e Lionit për të hyrë në Britani përmes ngushticës që ndan Francën dhe Anglinë, por tashmë ata kanë gjetur partneritet me pronarë të jahteve luksoze.
Këtë e konfirmuan edhe zyrtarë në Francë, të cilët kanë pasur disa precedentë të mëparshëm kohët e fundit. Rojet kufitare franceze gjetën më 12 janar 15 shqiptarë të fshehur në një jaht, që kushtonte 100 mijë funte.
Dy francezët, të cilët ishin drejtuesit e jahtit, i treguan gjykatës se mafiozë nga Kosova dhe nga Shqipëria i kishin paguar ata për të bërë udhëtime të rregullta përmes ngushticës që ndan Francën nga Britania.
Në këto udhëtime ata transportonin emigrantë të paligjshëm shqiptarë, nga Franca për në Britani.
Autoritetet franceze thanë se emigrantët pa asnjë mjet identifikimi paguanin 1 000 euro për një person.





