9 gusht 2015 – Grosistët shqiptarë importojnë mish viçi “prapa diellit”, në një vend të largët amerikano-latin. Paraguai, që zë vendin e gjashtë në botë për eksportin e mishit të viçit, po pëlqehet edhe nga prodhuesit shqiptarë të sallameve, proshutave, salsiçeve deri dhe nga pronarët e marketeve / supermarketeve duke e reklamuar si mish… të freskët.

Sipas statistikave zyrtare, të cituara nga shtypi paraguaian, në vitin 2015 gjithsej 69 vende të botës importojnë mish paraguaian, duke përfaqësuar një rritje mbi 97 për qind në krahasim me vitin 2013. Përveç Rusisë, Kilit, Brazilit, Izraelit, Tajvanit, Holandës, Jordanisë, Bahreinit etj., renditej edhe Shqipëria (shih faksimilen e lajmit nga portali paraguaian “ultimahora.com”, 9 gusht 2015, rreshti i fundit i mbuluar me blu), ku industritë e prodhimeve të mishit (viçi, të brendshme, derri, pule) importojnë nga Paraguai. Korni Pauls, president i Dhomës së Mishit të Paraguait citohet të ketë thënë se edhe pse vëllimet që janë dërguar në këto vende nuk janë të mëdha, është e rëndësishme që të ketë një shumëllojshmëri të tregjeve. Vlera e eksporteve të mishit vitin e kaluar në Paraguai ka arritur një rekord prej më shumë se 1 miliard e 700 milionë dollarë.

Info/

Paraguai kufizohet me Argjentinën në jug dhe jugperëndim, Brazilin në lindje dhe verilindje, Bolivinë në veriperëndim. Ka sipërfaqe 406 752 km katror dhe popullsi 7 012 433 banorë. Ka një normë historike inflacioni të ulët – mesatarisht 5 për qind (në vitin 2013 ishte 3.7 për qind). Në periudhën 1970-2013, ka pasur rritje me një normë mesatare prej 7.2 për qind në vit. Në vitet 2010 dhe 2013 pati një normë rritjeje të PBB-së, respektivisht prej 14.5 për qind dhe 13.6 për qind. Gjatë 10 viteve të fundit ekonomia u diversifikua në mënyrë dramatike kryesisht në energjetikë, pjesë ndërrimi makinash dhe industri veshjesh. Ka zonën e lirë tregtare, të tretë më të rëndësishëm në botë, Ciudad del Este, fill pas Majamit dhe Hong Kongut. Një përqindje e madhe e popullsisë, veçanërisht në zonat rurale, e siguron jetesën duke u marrë me bujqësi dhe blegtori.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/