Sherr masiv në aeroportin e Perugias mes dy grupeve shqiptarësh në pritje të avionit për të udhëtuar drejt Tiranës.

Ngjarja është shënuar të dielën pasdite 26 qershor 2022, teksa një grup qytetarësh shqiptarë që shoqëronin disa bashkatdhetarë për të marrë fluturimin drejt Tiranës janë takuar me një grup tjetër në radhë te check-in.

Për shkaqe që ende nuk dihen, debati me fjalë ka degjeneruar në sherr me grushte. Nga videoja duket një burrë që ka vënë përposhtë një burrë tjetër dhe e qëllon ndërsa policia përpiqet t’i ndajë. Nga ana tjetër dy vajza qëllojnë burrin që është në tokë dhe që me dorën tjetër kërkon ndihmë pasi kundërshtari e ka kapur për fyti.

Skena ka shokuar të gjithë ata që ishin në aeroport. Agjentët e policisë kanë ndërhyrë dhe kanë arritur të ndajnë sherrin.

Mediet italiane raportojnë se pas mjekimeve të para, një nga 11 shqiptarët u dërgua në spitalin e Perugias për kontrolle; të tjerët u dërguan në komisariat. Tetë persona u arrestuan për përleshje dhe u dërguan në burg në Capanne dhe Terni, në pritje të seancës për vlerësimin e masës. Dy vajza, të moshës 24 dhe 22 vjeçe, akuzohen për dhunë.