“Këtu, në 2024 akoma njerëzit janë të padisiplinuar. Vrojtuesi i plazhit shërben për të shpëtuar jetë njerëzish, por shumë pushues e marrin si diçka qesharake!”.

Prej 5 vitesh, Skënder Kurti punon si vrojtues plazhi në zonën e Gjirit të Lalzit dhe një nga vështirësitë e punës së tij është komunikimi me pushuesit.

Në kullën e vrojtimit, ai kishte ngritur flamurin e kuq, por shumë nga plazhistët shfaqeshin indiferent.  

“Shqiptarët kur shkojnë nëpër botë janë të mrekullueshëm, kur vijnë në Shqipëri shkatërrohet çdo lloj gjëje. Po të shikosh tani, kemi dallgë në det. Prindërit kanë akoma fëmijët me vete. Nuk lejohet! Fliti sa herë të duash, por nuk marrin vesh! Edhe vrojtues, po të shikosh janë pak në numër.”

Një tjetër shqetësim që ngre vrojtuesi me eksperiencë është edhe varësia që të rinjtë krijojnë ndaj pijeve alkoolike apo lëndëve narkotike.

“Rinia përdor pijet alkoolike apo kokainën. Nuk lejohet të hysh në det, kur i ke konsumuar ato”.

Që nga koha kur ka nisur punën e tij si vrojtues plazhi, Kurti vë re një shtim të plazhistëve që vit pas viti frekuentojnë këtë vijë bregdetare. Për të, sekreti i kësaj rritje progresive është i qartë:  

“Këtu jodi është më i lartë sesa në çdo vend tjetër të Shqipërisë apo Evropës. Kjo është e vërteta, që nga Rrushkulli e deri në Kepin e Rodonit”.

M.B.